Arlind Qori, drejtuesi i “Lëvizja Bashkë, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV duke folur për arrestimin e Erion Veliajt dhe reagimet e kryeministrit Rama ndaj SPAK-ut, u shpreh se ai u dha mesazhin të vetëve se nuk i ka lëshuar të gjithë. Qori tha se edhe Rama ka nisur të ketë frikë nga SPAK.
“Arsyeja e parë është politike, t’u japë mesazhin të vetëve se nuk i kam lëshuar të gjithë, nuk do të përfundoni të gjithë njëri pas tjetrit në burg, se jam unë ende këtu, pavarësisht se prova doli që Erion Veliajn nuk e mbrojti dot dhe ky është tregues i dobësisë politike të Ramës.
Për një politikan të korruptuar është më e rëndë dobësia, imazhi i dobësisë se sa korrupsioni, sepse të gjithë e dinë që Edi Rama është i korruptuar. E kanë ditur që kur ka qenë kryetar bashkie. Sot u duk që Edi Rama është i dobët. E dyta, kur ai foli për celularin e vet, në intepretimin tim, ai ka frikë edhe për veten e vet, se i vjen thirrja që ndaj teje zoti Rama ka një akuzë.
Tani Zotin Rama nuk e arreston dot, pa votuar parlamenti, por prapëseprapë nëse i thotë hajde pak, dorëzo edhe celularin, kjo do të thotë se, këtu do të vihet në krizë edhe kuadri institucional shqiptar. Ne nuk kemi një shtet të së drejtës, ku institucionet i përgjigjen ligjit, jo urdhrit.
Frika ime është se po shkoi puna te Rama, më parë arreston Rama prokurorët që mund të shkojnë në kryeministri se e anasjellta dhe ky është një problem shumë i madh për rendin kushtetues në Shqipëri dhe i paralajmëroi prokurorët dhe gjykatësit që mos e provoni se kjo mund të shkojë keq”, tha Qori.
Qori foli edhe për mesazhet që japin Rama dhe Berisha me deklaratat e tyre kundër SPAK-ut.
“Çfarë ka të përbashkët një organizatë mafioze me një organizatë të korruptuar politike? Çfarë mesazhi po jep Rama, që gjenerali ose ju ka shitur ose është i dobët, pra ose nuk ju mbron dot dhe ose do ju shesë. Prandaj Rama duhet të bëjë çfarëdo gjëje, për të dhënë mesazhin se jam këtu. E dyta, Rama mund të ketë frikë vetë, e përmendi celularin e vet. Pse ka frikë ai?
Berisha thotë do e shkrij SPAK, por Rama thotë ose jep vendimet që duam ne, ose nuk është drejtësi, janë dy gjuhë të ndryshme, por kanë të njëjtin qëllim”, u shpreh Qori.