Mbi projektligjiin “Për donacionet dhe sponsorizimet”

0

Shkruan Zef Ndreka

Ky projektligj për “Donacionet dhe Sponsorizimet” përfaqëson një zhvillim shumë të vonuar, por shumë të domosdoshëm për vendin tonë, që synon standarde moderne të qeverisjes dhe një ekonomi më funksionale. Pas më shumë se tre dekadash tranzicioni të stërzgjatur, vendosja e disa rregullave më të qarta dhe krijimi i Regjistrit Elektronik Kombëtar janë hapa të domosdoshëm që shkojnë përtej teknikës ligjore, sepse ato prekin drejtpërdrejt besimin publik.
Forcimi më tej i transparencës dhe integritetit institucional është ndoshta elementi më kritik. Në realitetin ku marrëdhëniet mes biznesit, institucioneve dhe aktiviteteve publike shpesh perceptohen me dyshim, një mekanizëm i gjurmueshëm dhe i aksesueshëm publikisht mund të reduktojë hapësirat për abuzim, konflikt interesi apo përdorim klientelist të sponsorizimeve. Pikërisht, kjo e bën ligjin jo vetëm rregullator, por edhe instrument etik.
Fakti që projektligji synon të mbështesë në mënyrë të veçantë artin, kulturën dhe sportin është strategjik. Këta sektorë janë dimensione identitare, por më tej, ato janë edhe motorë realë zhvillimi ekonomik dhe diplomacie kulturore.
Një kuadër i qartë ligjor mund dhe duhet të stimulojë përfshirjen e kapitalit privat, të krijojë partneritete më të qëndrueshme dhe të kontribuojë në ndërtimin e një kalendari gjithëvjetor eventesh, që ndikon drejtpërdrejt në turizëm, në imazh ndërkombëtar dhe në ekonomitë lokale.
Megjithatë, suksesi i ligjit që parashtrohet, nuk do të varet vetëm nga formulimi juridik. Sfida reale qëndron tek zbatimi, tek cilësia e administrimit të regjistrit elektronik, tek kontrolli efektiv, tek shmangia e burokracive të panevojshme dhe tek garantimi që transparenca të mos mbetet formale.
Pa një kulturë institucionale të përgjegjshmërisë edhe mekanizmat më modernë rrezikojnë të mbeten dekorativë.
Prandaj, ky projektligj mund të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën si ndërveprojnë shteti, biznesi dhe interesi publik. Nqs zbatohet me seriozitet dhe pa selektivitet, ai mund të ndihmojë në ndërtimin e një klime më të shëndetshme bashkëpunimi, ku mbështetja për artin, kulturën dhe sportin të mos shihet si favor, por si investim në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu