Në hulumtimin e ri të KosovaNews, Klan Kosova del të jetë kampioni i ‘zhvatjes’ së Telekomit në tregun medial, i cili në emër të ‘marketingut’, për një periudhë 10 vjeçare, kishte arkëtuar mbi 1 milion euro nga Telekomi i Kosovës. Në periudha të ndryshme, përfitimi mujor arrinte edhe në shumën marramendëse prej mbi 28 mijë euro në muaj.
Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, dhjetëra miliona euro i janë zhvatur Telekomit të Kosovës nga mediat në emër të “marketingut”..
Përmes kësaj forme të kapjes dhe kontrollit të mediave, duke u dhënë para të majme nga institucionet shtetërore, shumica e të cilave përfundonin në xhepat e pronarëve, qeverisjet e kaluara kontrollonin shumicën e mediave në Kosovë.
Për pasojë shumica e mediave u shndërruan në tellallë të qeverive dhe politikat redaktoriale, bëheshin nga pronarët e mediave, duke i detyruar gazetarët e redaktorët të bënin autocenzurë kur në pyetje ishin kritikat apo ndonjë skandal që kishte të bënte me pushtetin.
Qeveria e Kosovës si aksionare e vetme e Telekomit të Kosovës, qysh nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 dhe me kalimin e kompetencave nga ndërkombëtaret te vendorët, filloi “aksionin” duke e gllabëruar këtë ndërmarrje publike dhe duke e futur në kthetrat e pushtetit.
Brenda 10 viteve, pra nga viti 2008 kur Telekomi gjeneronte dhjetëra miliona euro fitim vjetor, deri në vitin 2018, kjo ndërmarrje përfundoi në kolaps dhe në prag të falimentimit me dhjetëra miliona euro humbje.
Pjesë e këtij operacioni të zhvatjes padyshim ishin pothuajse shumica e mediave në Kosovë, të cilat përfituan miliona euro që telekomi u jepte në emër të “marketingut”.
Në bazë të një hulumtimi të publikuar në vitin 2020 nga Rrjeti i Gazetarisë Hulumtuese BIRN, Telekomi kishte ndarë miliona euro në emër të marketingut shumicës së mediave në Kosovë.
Duke ju referuar këtij hulumtimi, shifrat më të mëdha nëpër vite i kishin përfituar kryesisht mediat të cilat mbanin anën pushtetit, apo konsideroheshin të afërta më pushtetin.
Muajin e kaluar, KosovaNews raportoi se kompania e gazetarit Berat Buzhala, kishte përfituar plot 437 mijë euro vetëm nga Telekomi i Kosovës në emër të “marketingut”.
Por, çuditërisht në hulumtimin e BIRN të cilin e kishte financuar Bashkimi Europian nuk jepet asnjë e dhënë për televizionin “Klan Kosova”…?!
KosovaNews ka bërë një hulumtim të detajuar duke nxjerrë të dhëna zyrtare nga Telekomi i Kosovës. Në bazë të këtyre të dhënave del se është pikërisht televizioni “Klan Kosova” i cili është kampion sa i përket përfitimeve nga Telekomi i Kosovës.