Shkruan Albert Vataj
“Maddalena Strozzi”, një nga portretet më të rafinuara të Raffaello Sanzio, shpesh është cilësuar si një “Mona Lizë” alternative e Rilindjes, jo për ta rivalizuar drejtpërdrejt Mona Liza e Leonardo da Vinci, por për të ofruar një vizion tjetër të femrës, më të kthjellët, më të përmbajtur dhe më të lexueshëm në dritën e estetikës së kohës.
Ndryshe nga aura enigmatike që përshkon portretin e Leonardos, ku buzëqeshja mbetet një mister i pazgjidhur mes dritës dhe hijes, tek Maddalena Strozzi gjithçka është më e qartë, më e vendosur në një ekuilibër të matur mes natyrshmërisë dhe idealizimit. Këtu nuk kemi një enigmë psikologjike që sfidon shikuesin, por një prani që e fton atë drejt një kontemplacioni të qetë, një fytyrë që nuk fsheh, por harmonizon.
Raffaello nuk kërkon të depërtojë në thellësitë e errëta të shpirtit, siç bën Leonardo, por të ndërtojë një figurë ku bukuria është rend, qartësi dhe harmoni. Ai zbut çdo papërsosmëri, jo për ta falsifikuar realitetin, por për ta ngritur atë në një nivel të përpunuar estetik, ku femra nuk është thjesht subjekt portreti, por ide e bukurisë së përkryer. Në këtë kuptim, vepra bëhet një manifest i idealizimit renesans, ku figura femërore trajtohet si një strukturë e balancuar mes trupores dhe shpirtërores.
Vështrimi i Maddalenës nuk të sfidon, por të qetëson; nuk të ngacmon me mister, por të përfshin me një ëmbëlsi të matur. Është pikërisht kjo butësi e kontrolluar ajo që e orienton syrin e shikuesit, duke e zhvendosur vëmendjen nga kërkimi i fshehtësisë drejt shijimit të detajit: pëlhurat e punuara me finesë, drita që përkëdhel sipërfaqet, një elegancë që nuk kërkon të imponojë, por të bindë.
Në këtë tablo, idealizimi i gruas, një tipar thelbësor i Rilindjes së Lartë, merr një trajtë më të artikuluar. Ndërsa shumë artistë të kohës tentonin të fshehnin mangësitë duke reduktuar detajin, Raffaello i tejkalon ato përmes një sintese: ai nuk i mohon kufijtë e reales, por i përthith në një rend më të lartë estetik. Gruaja nuk është më një trup që duhet korrigjuar, por një prani që duhet harmonizuar.
Kështu, “Maddalena Strozzi” mund të lexohet si një “Xhokondë” pa enigmë, por jo pa thellësi; një portret që nuk kërkon të të mbajë peng në mister, por të të çlirojë në qartësi. Është një përpjekje e guximshme për të zhvendosur aksin e perceptimit, nga e panjohura drejt së kuptueshmes, nga ankthi i interpretimit drejt paqes së soditjes.
Në fund, mjeshtri sjell jo thjesht një grua, por një ide të saj, një sintezë të pranimit të plotë të qenies femërore si mrekulli, jo sepse është e përsosur në kuptimin fizik, por sepse është e përkryer në mënyrën se si arti e përqafon dhe e përjetëson atë.



