Shkruan Zef Ndreka
Me në fund, Lulzim Basha doli nga kafazi ku ishte fshehur për muaj të tërë.
Ashtu siç bëri dikur, kur doli nga “Torre Drini” për të rimarrë drejtimin e copëzës së mbetur të Partisë Demokratike, që dikur ia kishte dorëzuar babait të tij shpirtëror, Sali Berishës.
Rikthimi i tij sot, megjithëse në dukje i qetë dhe “programatik”, fsheh një skenar të njohur, riformatimin e PD-së si mjet i përkohshëm për mbrojtje personale dhe politike.
Në fakt, shumëkush e lexon këtë lëvizje si pjesë të një strategjie të dyfishtë, nga njëra anë për të mbajtur gjallë iluzionin e pluralizmit brenda opozitës, dhe nga ana tjetër për ti dhënë Berishës një “exit politik” më të butë, në prag të përplasjes së tij me drejtësinë.
Basha, me përvojën e tij në “pritje” dhe në heshtje, duket sikur ka zgjedhur rolin e rinovuesit të kontrolluar, që del në skenë vetëm kur vjen koha për të zbutur goditjen.
Deklarata e tij e fundit: “Do të prisni edhe pak”, tingëllon më shumë si paralajmërim i një déjà vu-je. Sepse çdo herë që Basha është rikthyer në lojë, PD-ja ka humbur edhe më shumë terren, edhe më shumë besim, edhe më shumë njerëz.
Kjo frazë, që mund të tingëllojë e padëmshme, fsheh ndoshta pritjen e një “drite jeshile” nga diku tjetër, politike apo juridike, për të ndërmarrë hapin e radhës në këtë skenar të paracaktuar.
Në këtë kuptim, rikthimi i Bashës nuk është as politik e as ideologjik. Ai është puro mbijetesë, një përpjekje për të mbajtur në jetë një strukturë që ka humbur çdo lidhje me bazën, vetëm që të shërbejë si mburojë për hallet që po afrohen me drejtësinë dhe si pazar i lojës së vjetër me Berishën.
Tani presim që Basha “do të bëj namin”, sepse “nami” që ka bërë deri tani, është vetëm shkatërrimi i opozitës reale në Shqipëri.




