Shkruan Albert Vataj
Një vdekje në mermer, kaq e gjallë dhe drithëruese. Çdo detaj i kësaj prehjeje është një prekje e pikëllimtë që të ngjeth edhe sot si atë ditë kur kjo grua ndaloi së marri frymë për t’u shndërruar në një përjetësi që trishton çdo shkasi që të nguc ta përcjellës këtë mort.
Ajo është e kredhur në mermer ashtu si në altarin e blatimit të shenjtë, teksa mëton shpirtje, dhe lutjeve për mëshirim i jepet dorzan.
I jep këtij çasti gruan, Evën biblike e sakrifikon në një procesion shenjtërimi, si në të fundmen prehje prej mishi e shpirti.
Duart e saja gatitur në një epje sfide, ngulmojnë për ta mbajtur dhimbjen të kyçur në atë trup që nuk don të jepet, në atë kraharor që gjëmon ende.
Por vdekja derdhet në të dhe ajo duhet të dorëzohet, të gjej paqe në rrëmetin e një shpirti që nuk bindet të largohet, por qëndron ashtu i përkorë për të marrë pjesë në sublimitetin krijues, për të nënshkruar përjetësinë e kësaj gruaje të lartësuar në vepra përkushtimi dhe devocioni, në art.
Po, për të frymuar të gjallët e këtij shenjtërimi në mermer, më të gjallë se çdo mëkim që i është qasur altarit të shpirtrave që lindin për të merituar amshimin në prehrin e Hyut.
Skulptura e realizuar me një mjeshtëri që zotërohej vetëm nga Gian Lorenzo Bernini, i dedikohet, Ludovica Albertoni, një fisnike romake, e cila hyri në Urdhrin e Tretë të Shën Françeskut, pas vdekjes së burrit të saj.
Ajo jetoi një jetë të devotshme, duke punuar me përkushtrim për më të varfrit në Trastevere, një zonë në jug të qytet-shtetit të Vatikanit.
Ludovica Albertoni kishte një fëmijëri të vështirë, një martesë që e bëri atë nënën e tre vajzave. Vitet e saj si bashkëshorte nuk ishin aspak të lehta. Fatkeqësisht ajo kaloi përmes shumë peripecishë dhe brengash, deri në maj të vitit 1506 kur do të humbte bashkëshortin, Giacomo della Cetera, i cili lëngonte prej vitesh nga sëmundja që i mori jetën, duke e lënë Ludovican të ve.
Rruga e saj e përkushtimit dhe devocionit fillon këtu. Vuajtja u shndërrua te kjo grua në një udhë shenjtërimi.
Ludovica Albertoni vdiq e vetmuar dhe e varfër më 31 janar 1533. Fama e saj prej bamirëseje, vullnetmire dhe mëshiruese u përhap në Romë dhe devotshmëria ndaj saj u rrit duke u bërë më e fortë pas vdekjes, gjë që nxiti Papa Klementi X të miratojë bekimin e saj në vitin 1671.








