Loja e gjykatës në Hagë për “barazim moral”!

0

Shkruan Zef Ndreka

Gjykim i vetë luftës për liri.
Ka ndjeshmëri të madhe gjyqi kundër udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, sepse prek një nga temat më delikate të historisë së pasluftës në Kosovë dhe të drejtës ndërkombëtare.
Drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, e mbështetur vetëm mbi prova të verifikueshme dhe jo mbi motive politike apo perceptime.
Qytetarët në Kosovë dhe në Shqipëri e shohin tashmë Gjykatën Speciale si një instrument selektiv politik, i krijuar nën presion ndërkombëtar, që ka çuar vetëm drejt njëanshmërisë në drejtësi.
Gjykata Speciale, pra Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara në Hagë, u ngrit me vendim të Kuvendit të Kosovës në vitin 2015, nën presion të madh ndërkombëtar, pas raportit të Dick Marty në Këshillin e Europës, në vitin 2011, që fliste për krime të UÇK-së.
Pra, vetë baza e saj u ngrit jo si rezultat i një nevoje të brendshme ligjore, por për të kënaqur kërkesat e jashtme që kërkonin balancim ndaj krimeve serbe të gjykuara më herët nga Tribunali i Hagës.
Kjo gjykatë trajton vetëm krimet e supozuara të UÇK-së që përfshinë periudhën 1998–2000, ndërkohë që krimet serbe, që ishin shumë më të rënda në shkallë e në përmasë, janë tashmë të mbyllura ose të pandëshkuara plotësisht.
Kjo e ekspozon qartazi drejtësinë të shfaqet e njëanshme, sepse ushtria që çliroi Kosovën po gjykohet, ndërsa shteti që kreu gjenocid ka përfituar nga loja për barazimi moral që i imponon gjykata.
Në shumë raste, akuzat ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi, janë mbështetur në dëshmi të paqëndrueshme, raporte të përgjuara ose rrëfime të dyshimta që nuk përmbushin standardin “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.
Në këtë kuptim, procesi perceptohet politik, jo ligjor, më shumë për të balancuar historinë sesa për të kërkuar të vërtetën.
Fakti që udhëheqësit e akuzuar ishin figurë-shtetformuese, president, kryeministër, kryetar kuvendi, e bën këtë proces të ketë peshë politike të madhe.
Në sytë e shqiptarëve, ky nuk është vetëm gjykim i individëve, por gjykim i vetë luftës së drejtë për liri.
UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj një pushtimi brutal, për çlirimin e vendit, jo si organizatë kriminale.
Nëse gjykimi nuk e bën dallimin mes luftës së drejtë dhe krimit individual, atëherë bie vetë parimi themelor i drejtësisë ndërkombëtare.
Gjykata Speciale ka bazë ligjore formale, por legjitimiteti i saj moral dhe politik është i diskutueshëm.
Në mungesë të provave të forta, çdo dënim do të jetë dënim politik i historisë së UÇK-së, jo si zbatim i drejtësisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu