Lista Serbe u shpreh e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në veri të Kosovës, por për këtë ka dy kushte.
Forca më e madhe politike e serbëve në Kosovë kërkon tërheqjen e forcave speciale të policisë nga zonat veriore dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Partia e mbështetur nga Beogradi i bojkotoi zgjedhjet e mbajtura për kryetarë të komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposavic – dhe nuk i njeh kryetarët e rinj shqiptarë të dalë prej tyre.
Ajo së bashku me serbët lokalë në komunat Zveçan, Leposavic dhe Zubin Potok, janë duke protestuar rregullisht që prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
Duke folur për tensionet në veri, Lista Serbe ka thënë se çelësi për ulje të tensioneve është që të mos ketë forca speciale të Policisë së Kosovës në veri dhe që kryetarët, që ajo i konsideron “të paligjshëm”, të mos shkojnë në ndërtesat komunale.
Më tej, përmendi dhe nevojën për lirimin e dy serbëve të paraburgosur nga autoritetet e Kosovës, ditë më parë, gjatë përleshjeve në Zveçan.Ata dyshohen për “veprimtari kundërkushtetuese me qëllim sulmin kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve. Si SHBA ashtu edhe BE bënë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, dhe zyrtarë të lartë të Kosovës nuk e kundërshtuan këtë kërkesë.