libri “Tomografi e Politikës” mbetet fjalë e matur në kohën e zhurmës

0

Shkruan inxh. Frederiko Ruco

Libri “Tomografi e Politikës”, shkruar për një periudhe vetëm disa mujore, konkretisht Tetor-Dhjetor 2025, ashtu si librat e tjerë të autorit, mbetët fjalë e matur në kohën e zhurmës.
Në Shqipëri dhe më tej jashtë saj, aty ku fjala shpesh humbet mes zhurmës së interesave, ku politika kthehet në arenë për pushtet më shumë se për përgjegjësi, dalja e librit të fundit e Zef Ndrekës është një ngjarje në dukje e heshtur, por e rëndësishme. Autori ka folur çdo ditë me penën e tij jo për të na bindur, por për të ndriçuar ngjarjet dhe situatën, për të kuptuar ato. Pikërisht ky qëndrim në vetvete, është një akt moral e intelektual që i jep librit vlerë të qëndrueshme.
Tomografia e vërtetë e politikës, e vëzhguar dhe shkruar me kujdes nga autori, është çelësi i gjithë librit. Një term i marrë nga leksiku mjekësor, ajo që përkthehet në fushën e analizës politike si mënyrë për të parë përtej sipërfaqes, përtej asaj që nuk duket. Në këtë libër, Zef Ndreka e përdor si metaforë të mendimit analitik, një përpjekje për të depërtuar në trupin e politikës shqiptare dhe për të gjetur shkaqet e brendshme të sëmundjes së saj.
Autori, asnjëherë nuk është ndalur rëndom tek ngjarja, por ka analizuar mekanizma pa kërkuar fajtorë, por shkaqe. Ndaj ky lloj mendimi është i rrallë në një shoqëri ku analiza shpesh ngatërrohet me opinionin, dhe ku diagnoza zëvendësohet nga akuzat.
Në këtë libër, autori merret me personalitete, me dukuri, me mënyrën si funksionon pushteti, si deformohet fjala publike dhe si humbet kuptimi i institucioneve. Sipas tij, politika është shkëputur nga qytetari dhe etika ajo që dikur duhej të ishte një instrument për të mirën e përbashkët, është shndërruar në sistem vetëruajtjeje për grupime të caktuara. Kështu, trupi i shtetit nuk ushqehet më nga ndërgjegja publike, por nga interesi privat.
Dhe libri përkufizon me qartësi simptomat kryesore të kësaj gjendjeje. Kriza e përfaqësimit, ku partitë nuk përfaqësojnë më ide, por klientela, mungesa e debatit të sinqertë, ku fjala e lirë është zëvendësuar nga retorika boshe, rënia e etikës publike, ku pushteti është bërë qëllim në vetvete, amullia qytetare, ku populli është shndërruar në spektator të vetë fatit të tij.
Në këtë pjesë, “tomografia” bëhet pasqyrë morale dhe tregon sëmundjen e brendshme që nuk shërohet me fjalë, por me ndryshim kulture. Zef Ndreka na e kujton se kriza e politikës është pasojë e krizës së mendimit, e prandaj shërimi i parë duhet të nisë nga fjala dhe arsyeja.
Në çdo faqe, vërehet përkushtimi i autorit ndaj fjalës së matur dhe të ndershme. Ai nuk përdor hiperbola, as mllef, por arsyetim. Kjo e bën librin e tij të ngjajë me një diagnozë të mjekut të ndërgjegjes, që e di se shërimi kërkon qetësi dhe saktësi, jo britma. Në këtë kuptim, Zef Ndreka është shembull i mendimit të qetë, që në Shqipëri shpesh mungon. Ai i mëson lexuesit se e vërteta nuk ka nevojë të bërtitet, mjafton të thuhet drejt.
Në këtë kuptim, libri i tij është më shumë se një analizë politike, është një dëshmi për forcën e mendimit dhe rolin e ndërgjegjes qytetare.
Duke e mbyllur këtë shënim do të theksoja se lexuesi do të mbetet me përshtypjen e një libri që nuk bën zhurmë, por bën dritë. “Tomografi e politikës” është një akt dashurie ndaj së vërtetës dhe vendit, një ftesë për kthimin tek fjala e ndershme dhe mendimi i thellë. Në një kohë kur shumë flasin për të sunduar, Zef Ndreka shkruan për të kuptuar. Dhe kjo e bën veprën e tij të vlefshme e të qëndrueshme në kujtesën publike.
Frederik Ruco

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu