Shkruan Naim Flamuri
Edhe te çështja e mbeturinave, ku inceneratorët(djegësit e hedhurinave) nuk ekzistojnë realisht, por paratë janë zhdukur, fajin kërkohet t’ia hidhet popullit. Për përmbytjet nuk fajësohet qeveria që i vodhi fondet dhe nuk bëri investimet, por qytetari që “hedh plehra”. Një logjikë absurde: paratë i merr pushteti, fajin e merr populli. Edi Rama i ka kaluar të gjithë kufijtë e arrogancës politike, duke vepruar sikur populli është në koma, ose sikur ende jetojmë në mendësinë e diktaturës së proletariatit të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, ku masa nuk mendon, vetëm bindet, duron dhe duartroket.
Kryeministri vazhdon me ngulm me na e shitë “legjitimitetin me 88 mandate” si fakt hyjnor, sikur ky vend të ishte vakëf personal e jo republikë. E thotë me ton triumfi, ndërkohë që në terren, sipas denoncimeve të shumta publike, zgjedhjet u shndërruan në operacion të mirëorganizuem presioni, blerjeje dhe frikësimi. Në Tiranë, Durrës, Dibër, Fier, Korçë e kudo ku vota kishte peshë, u fol për patronazhistë me lista, për administratë të shtrëngueme, për qytetarë të detyruem me zgjedhë mes bukës dhe ndërgjegjes. Kjo s’asht demokraci, kjo asht perdhunim i votës. Milionat e taksapaguesve, sipas raporteve, auditimeve dhe akuzave publike, u rrotulluen nëpër AKSH, agjenci, dikastere, tendera të dyshimtë, ku fituesit dihen para se të hapet zarfi. Një ekonomi e kapun, një shtet i kapun, një sistem ku oligarkët numërohen me gishtat e dorës, por hanë si ushtri. Thuhet gjerësisht se rreth 15 oligarkë, të lidhun me pushtetin, jo vetëm që përfituen tendera, por ushtruen edhe presion mbi punëtorët e tyne: “Voto, ose ik.” Kjo nuk asht treg i lirë. Kjo asht shtet privat. Dhe kur dalin emra; Erion Veliaj, Belinda Balluku, Ergys Agasi, pushteti fshihet pas formulës së vjetër: “raste individuale”.
Po kur rastet bëhen zinxhir, zinxhiri quhet bandë. Kur abuzimet përsëriten, quhen sistem. Njëri në hetim, tjetri në burg, tjetri para burgut, e Kryeministri vazhdon me ligjërata për moral, integritet, stabilitet. Ironia këtu nuk asht e hollë, asht brutale.Sepse sot në Shqipëri nuk kemi ma: zgjedhje, kemi operacione, administratë, kemi trupë elektorale, qeverisje, kemi menaxhim frike dhe propagande. Dhe mbi të gjitha, kemi një pushtet që flet për legjitimitet, ndërkohë që besimi publik asht varrosë me ceremoni. Legjitimiteti nuk lind nga KQZ-ja. Nuk lind nga propaganda. Nuk lind nga ekranet. Legjitimiteti lind nga vota e lirë. E kur vota blihet, shtrëngohet, frikësohet, mandati asht veç letër e ndytë. Sot Shqipëria nuk vuan nga mungesa e mandateve, por nga teprica e turpit. Dhe ky turp ka emër, ka fytyrë, ka sistem. Një pushtet i ndërtuem mbi frikë, para dhe manipulim mund të quhet ligjor. Por kurrë, i drejtë. Dhe kurrë, legjitim.








