Shkruan Sokol Pepushaj
Vula e PD-së është e burgosur. Me atë vulë njësohet liria dhe krimi. Brenda rrethit të vulës janë gjithë të gjallët e të vdekurit e 32 viteve të fundit.
Për vulën, u vranë edhe të zotët e vulës, prandaj është ogur i mirë që Enkelejd Alibeaj, edhe pse me pak njerëz afër, të jetë i pari kryetar i PD-së pa vulë. Inati me vulëtarët, ka bërë ndarjen mes votuesve të partisë më të madhe opozitare dhe shkelja e ligjit, sikur përligjet. Sot kemi një kryetar partie të emëruar nga KAS dhe një vulë të burgosur. Ende ka çështje gjyqësore paralele për vulën e “sherrit”.
Po ç’mëkate ka vula, thua ti?!
Sa më shpesh “puthej” me shkresa, aq më shumë shtypte shqiptarët, pasi në çdo legalizim të së keqes, zvogëlohej “stomaku”, popullsia, ekonomia, liria dhe përmbi to, kuptueshmëria e së vërtetës. Vulë më kriminele se kjo, unë nuk njoh…
Kjo vulë, e lindur në pranverën e lirisë së kombit tonë, u rrit me veset më të përbuzshme dhe në një mjedis me pamundësi kufizimesh. I ka bërë çdo ditë atentate moralit, ekonomisë, lirisë dhe të drejtave njerëzore, institucioneve të shtet bërjes, ka përligjur vrasjet, drogën, grabitjen e pronave, trazirat shoqërore e diplomatike, terrorizmin, ka zvetënuar arsyen e psesë për gjendjen parësore cilësuese të perceptimeve shoqërore e na ka çuar nga sherri në sherr.
Çdo dosje krimi e hajdutërie, është në rrethin e kësaj vule.
Nofullat e coptuara të Edi Ramës me kompani, vrasjet e Azem Hajdarit me shokë, 2 prilli 1991, ligji 7501, aderimi i Shqipërisë në Konferencën Islamike, firmat piramidale dhe lufta civile 1997, tragjedia e Gërdecit, 21 janari 2011, e gjithçka tjetër e keqe, janë brenda rrethit të vulës së PD-së. Edhe në xhenazen kur Sali Berisha u qëllua si antiamerikan me non -grata, vula e PD atje se atje ishte, në izolim.
Në rrethin e saj, janë mbi 30 000 shqiptarë të vrarë, gjithë dëshmorët e vjedhjes së votave, heronjtë e drogës e prostitucionit, hajdutëritë dhe poshtërsitë, ambasadorët amerikanë nga William Ryerson e deri tek Yuri Kim, e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja.
Burgosja e kësaj vule kriminale, mbase është oazi me kufij i tendencave të Mafies, që me vulë legalizon gjithë të zezat tona, që predominon formula e formate për ta mbajtur veten mbi ligjin dhe popullin në skllavërim.
Që e nesërmja të mos i ngjajë të sotmes, mirë e ka, le të kalbet në burg Vula e PD-së, është relike krimi!