Shkruan Zef Ndreka
Sa herë vijnë dy varka, një me mend e një me shkarpa, shqiptarët hypin te shkarpat.
Kujdes, na mëson Fishta i madh!
Kjo ironi e hollë e At Gjergj Fishtës është satirë therëse dhe e shkurtër, një nga ato vargje ku ai me pak fjalë i thoshte gjërat drejt e në sy.
Me dy varkat në Shëngjin, njëra me mend e tjetra me shkarpa, Fishta ironizon zgjedhjet që ka bërë në shekuj populli shqiptar.
Në vend që të dojë “mendjen”, pra urtësinë, dijen, vizionin, shpesh shqiptarët kanë parapëlqyer “shkarpat”, pra gjërat pa vlerë, gjërat që digjen shpejt e nuk mbeten.
Ky varg, si shumë prej krijimeve të tjera të Fishtës, fatkeqësisht ka qënë dhe është ende aktual për shumë vite kur shqiptarët kanë patur mundësi të zgjedhin prej më se tre dekadash, por edhe sot.
Fishta na kujton se shpesh shqiptarët, në vend të udhëheqjes me vizion, dijes dhe punës së mençur, janë të prirur të ndjekin demagogjinë, mashtrimet, gënjeshtrat, tradhëtarët, interesat afatshkurtëra, apo liderët që u kanë ofruar “shkarpa” në vend të mendëve, drejtësisë, zhvillimit.
Thirrja e Fishtës është e hidhur, po njëkohësisht e mprehtë, therëse, që tregon se sa largpamës ishte Fishta për fatet e kombit.
At Gjergj Fishta vetëm me këto vargje përmbledh një tipar që fatkeqësisht përsëritet në politikën, historinë qindra e qindra vjeçare dhe në shoqërinë shqiptare.
Varka me mend përfaqëson mundësinë për të zgjedhur vizionin, planin afatgjatë, njerëzit me dije e integritet.
Ndërsa varka me shkarpa përfaqëson rrugën e lehtë, premtimet boshe, interesat e vogla dhe ushqimin elektoral të momentint, që digjet shpejt e nuk lë gjurmë.
Ka ndodhur në shumë zgjedhje politike, në Shqipëri e Kosovë, ku shpesh është parë që elektorati, i zhgënjyer ose i varur nga interesat e momentit, ka zgjedhur “shkarpat” . Janë zgjedhur liderë që japin premtime pa mbulesë, favorizime, apo një shpresë të shpejtë, por jo zgjidhje të qëndrueshme.
Pikërisht ky varg më ngacmoi fort sepse është aktual, kur vendi po hyn në një fazë të re qeverisjeje.
Një pjesë e politikës kërkon të japë vizion, të ndërtojë institucione, të orientojë vendin drejt Evropës, ndërsa një pjesë tjetër mbetet tek logjika e shkarpave.