Kryebashkiaku socialist i Rrogozhinës Edison Memolla po hetohet edhe për pastrim parash. Prokuroria e Posaçme disponon një material voluminoz i ardhur nga Italia, ku xhaxhi i Memollës rezulton i përfshirë në trafik narkotikësh. SPAK po kryen përkthimet përkatëse ndërsa ka nisur edhe letërporosi. Gjurmimi i një transferte prej më shumë se 1 milion euro, ka ngritur dyshimet rreth këtij aktiviteti kriminal, teksa ka dyshime se paratë pastroheshin në Shqipëri.
Edison Memolla, kryebashkiaku socialist i Rrogozhinës po hetohet edhe për pastrim parash.
Përveç korrupsionit zgjedhor ku përfundoi në gjykatë çështja ndaj tij, pas denoncimit në Syri TV, ndaj Memollës nisi hetimi edhe për shpërdorim detyre muaj më parë me dyshimet se ka abuzuar me fondet e rindërtimit.
Gjatë kësaj kohe një dosje voluminoze vjen nga Italia për një grup kriminal që merrej me trafikim narkotikësh, thonë burime të besueshme.
SPAK-ut i është vënë në dispozicion i gjithë materiali nga homologët e vendit fqinj, ndërsa aktualisht ndodhet në fazën e përkthimeve ku janë bashkuar në një të vetme me hetimet për shpërdorim e detyrës të drejtuara nga prokurori Elvin Gokaj.
Një nga xhaxhallarët e kryebashkiakut që jetojnë në Itali, është përfshirë në trafikun e drogës thotë një burim in rezervuar, ndërsa një pjesë e parave të përfituara ka dyshime të jenë pastruar në Shqipëri.
Autoritetet italiane në bashkëpunim me ato shqiptare, janë vënë në ndjekje të një transferte të dyshimtë prej më shumë se 1 milion euro, që dyshohet se i përket pikërisht lidhjeve të afërta të kryebashkiakut Memolla teksa në sitë do të kalojnë edhe pasuritë e këtij të fundit në Shqipëri.
Prokuroria e Posaçme ka nisur letërporosi autoriteteve partnere, ku kërkohet informacion rreth grupit kriminal, mënyrën si operonin, të ardhurat që kanë përfituar nga aktiviteti dhe destinacionin e parave.
Sipas burimeve, pjesa më e madhe e hetimeve është duke u kryer nga Italia, dhe SPAK po kryen verifikimet përkatëse mbi gjetjet e tyre, teksa është ngritur një grup i përbashkët pune për këtë çështje.
Procesi ndaj kryebashkiakut në GJKKO për korrupsion në zgjedhje, ndodhet në fazën e seancës përgatitore ku palët do i komunikojnë gjykatës listën e dëshmitarëve që duan të pyeten dhe listën e provave që kërkojnë të merren.
Ndaj tij nisi proçedimi penal pas denoncimit në Syri Tv, për ndërhyrjet e Memollës tek OSHEE që të mos iu ndërpritej energjia elektrike debitorëve derisa këta të fundit ti jepnin votën në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022 në të cilat ai kandidonte.