Kroacisë i është miratuar kërkesa për t’i blerë tetë helikopterë Sikorsky UH-60 Black Hawk.
Rregullatori i Departamentit Amerikan të Shtetit së bashku me ligjvënësit e Kongresit amerikan miratuan kërkesën e Zagrebit zyrtar, ditë më parë, duke thënë se kjo shitje “mbështet politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare”.
“Kjo shitje e propozuar do të mbështetë politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke përmirësuar sigurinë e një aleati të NATO-s që vazhdon të jetë një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe përparimin ekonomik në Evropë”, ka thënë DASH-i, ka raportuar FlightGlobal.
Pos tetë helikopterëve ushtarakë, Kroacia ka kërkuar që SHBA-ja t’ia shesë edhe 19 motorë GE Aerospace T700-GE 701D dhe të gjitha pajisjet e nevojshme avionike. E gjithë kjo pako vlerësohet të kushtojë 500 milionë dollarë.
Kroacia s’është shteti i vetëm që ka bërë blerje të armatimit së fundmi nga SHBA-ja.
Edhe Shqipëria javë më parë ka blerë helikopterë të tillë nga SHBA-ja. Helikopterët Black Haëk janë avionët kyç të transportit dhe sulmit ajror të ushtrisë amerikane me fluturim mesatar. Konsiderohet avion i shërbimeve me ngritje me dy motorë, e është i pajisur me një rotor me 4 tehe dhe një rotor bishti.