Shkruan Ylli Manjani
Për fat të keq në kulturën e debatit publik është ngulur thellë ideja që ajo që thotë prokurori është e drejta. Në të kundërt, kur flasin avokatët kjo kulturë tenton ti relativizojë dhe ti injorojë.
Kush tha se ajo që thotë prokurori është e vërteta, ca më shumë akoma vetë e drejta?!
Sa më takon, në të gjitha qëndrimet e mia publike për tema të drejtësisë, i rri gjithmonë principit se prokurori është thjesht palë dhe se duhet marrë me dyshim ajo që ai thotë.
E di shumë mirë që kjo qasje nuk është interesante për turmën që do gjak e mish njeriu, por këtë kam dhe nuk më intereson fare turma.
Mllefin apo pakënaqësitë me politikanë e kriminelë i nxjerr kur mendoj e shprehem politikisht si çdo qytetar tjetër.
Nuk kam qenë në dashamirësi politike as me Saimir Tahirin, as me Sali Berishën, as me Erion Velinë, as sot me Belinda Ballukun apo Mirlinda Karçanajn. Por analiza ime ligjore e çështjeve të tyre është nisur gjithnjë nga prezumimi se prokurori është vetëm njëra palë.
Më tej akoma, kur prokurorët veprojnë me inat, mllef, e pasion protagonist të tepruar, ata duhen trajtuar më shumë sesa pala tjetër. Duhen trajtuar si zyrtarë të rrezikshëm sepse nuk zbatojnë ligjin, por shpalosin inatin.
Kjo është e papranueshme!
Ka qenë e papranueshme për Sajmir Tahirin kur shkumëzonin për kanabizim, ndërsa në letra kërkonin shpërdorim detyre për 100 euro dietë të pakthyer.
Ka qenë i papranueshëm mllefi dhe inati i prokurorëve për Sali Berishën, kur kërkuan imunitetin për inat se u ankua në kushtetuese për një masë tjetër.
Njësoj e papranueshme është edhe sjellja gjithë mllef e prokurorëve ndaj Erion Velisë, i cili sa herë ankohej i nxirrnin një bidaf të ri. I papranueshëm veçanërisht gjuha e mllefit personal ndaj tij nga ana e prokurorit në sallën e gjyqit!
Njësoj edhe trajtimi i Ilir Metës, që se lënë të luajë as pingpong me arsyetimin “ça ke që flet”.
Dhe po njësoj duhet trajtuar edhe inati prej kalamani ndaj Belinda Ballukut, ku prokurorët për inat të humbjes së tyre në kushtetuese kërkojnë masa më të ashpra. Asnjë motiv ligjor, thjesht inat, mllef, protagonizëm. Ça ndryshoi në gjendjen e dosjes në 3 ditë?!
Të gjitha këto raste kanë brenda mllef, inat,protagonizëm absurd të prokurorëve dhe jo arsye ligjore. Prova gjyqsore jo e jo.
Tani, nëse kësaj sjellje personale që nuk motivohet në ligj e prova, nuk i vihet fre nuk ka kuptim më drejtësia.
Si fillim dhe më së shumti i takon Parlamentit të vendosë kufinjtë e duhur ndaj kësaj sjellje.
Parlamenti si fillim nuk mund të lejojë më që personat me imunitet ti nënshtrohen gjykimit të mllefosur të njërës palë. Ata nuk janë imunë ndaj hetimit e gjykimit. Por nuk ka pse për inat të prokurorit që kërkon me çdo kusht të marrë pjesë në politikë si “i pavarur”, të lejohen burgosje për të kënaqur turmat.
Më demokraci kjo nuk pranohet.
Sado kosto politike të sjellë kjo gjë, nuk duhet lejuar.
Se sot i ndodh atij që sdo, nesër të ndodh ty. Në fakt kështu ndodhi…
Së dyti, sa më parë Parlamenti duhet të marrë masa ligjore të rrepta që e çojnë në normalitet drejtësinë, që e çojnë atë në shinat e ligjeve dhe jo nën ndikimin e protagonistëve të mllefosur e inatçorë, të cilët fryhen se i duan turmat.
KJO NUK ËSHTË PËR TË MBROJTUR BELINDËN, po SHTETIN.
Sado kosto të ketë këto veprine duhen bërë. Po nuk e bëri Parlamenti, kush do ta bëjë tjetër? “Afërmendsh” gjykata, apo futja kot debatet mediatike?!
“Pa emër” në Antena TV








