Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit. Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi deklaroi se nga ana ligjore kryetar i PD-së është Lulzim Basha dhe jo Sali Berisha.
Mirëpo KQZ i dha afat 48 orë PD të Alibeajt që të plotësojë dokumentacionin dhe më pas të regjistrohen si forcë politike në zgjedhjet e 14 majit.
Një nga dokumetacionet që duhet plotësuar është që në një nga shkresat duhet firma e Lulzim Bashës dhe jo kryetarit të Komanduar Enkelejd Alibeaj.
“Çdo kompetencë tjetër e kryetarit të partisë mund të delegohet te të tretë, sa kohë ligji nuk përcakton kufizime. Deklarata e kryetarit të partisë nuk është kompetencë, është përgjegjësi dhe si përgjegjësi nuk delegohet. Për analogji, detyrimi për të kryer shërbimin ushtarak nuk mund të delegohet. Duke qenë përgjegjësi, është personale. Jo më kot ligjvënësi e ka përcaktuar si të tillë, përgjegjësi. Kompetenca delegohet, përgjegjësia jo”, tha Celibashi.
Mbetet për të parë nëse ky dokumentacion do të firmoset nga Lulzim Basha, i cili ka dhënë doreheqje nga detyra si kreu i Partisë Demokratike.







