Koorporata e Kosovës për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike ka arritur një marrëveshje me kompaninë serbe ‘Elektrosever’ për furnizimin me energji elektrike të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit.
Sipas mediave, nënshkrimi i kontratës është pjesë e zbatimit të marrëveshjes për energjinë që është arritur në vitin 2013 dhe më pas u konfirmuar në vitin 2015, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në bazë të marrëveshjes, në qershor të vitit 2022 Zyra e Rregullatorit për Energji i dha licencën e operimit kompanisë serbe “Elektrosever”, e cila do të merret me shpërndarjen e energjisë elektrike në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës.
“KEDS njofton se është nënshkruar kontrata me Elektrosever, e cila ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.
Kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“ Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022.
Ky proces i zgjatur ka qenë shumë delikat dhe sfidues për tërë sistemin energjetik në Kosovë, dhe ne jemi të kënaqur që kemi arritur këtë moment historik.
Urime të gjitha palëve të përfshira që kontribuuan në realizimin e kësaj arritjeje”, shkruhet në reagimin e KEDS.
Ndërkohë, nuk ka një koment nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë për këtë marrëveshje, teksa BE e cilëson atë si një hap pozitiv drejt zbatimit të udhërrëfyesit për të cilin palët kanë rënë dakord që në muajin qershor.