Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të enjten më 19 qershor lënien në fuqi të vendimarrjes së Komisionit për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Petrit Hysa. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtare Albana Shtylla, Ina Rama e Mimoza Tasi, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të prokurorit Hysa ndaj vendimarrjes së Komisionit.
Prokurori i Tiranës, Petrit Hysa u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimimit, KPK më 24 maj 2023, pasi u konkludua se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë. Ndërkohë, ai mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe mangësitë profesionale nuk u konsideruan serioze e të përsëritura, që të sillnin penalzim.
Petrit Hysa ka punuar fillimisht si hetues në Dibër dhe në Mar, në vitet 1986-1991. Ai është rikthyer në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 si prokuror në Prokurorinë e Pogradecit dhe në vitin 1999 u transferua në Tiranë, në cilësinë e zëvendësdrejtuesit. Prej asaj kohe dhe deri në shkarkimin nga detyra e ushtroi funksionin e prokurorit në kryeqytet.