Avokati i njohur Jordan Daci thotë se koalicioni i Berishës dhe Metës, i zyrtarizuar mbrëmjen e djeshme, nuk mund të regjistrohet nga ana e KQZ, pasi sigla dhe emri janë të Partisë Demokratike me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn.
“Duhet të kuptoni unë them atë që ka ndodhur dhe do ndodhë. Koalicioni nuk mund të përfshijë as emrin dhe as logon Partia Demokratike. Unë ngre dhe dyshimin e refuzimit të koalicionit që përmban siglën dhe emrin që i përket PD-së. Komisioneri mund edhe ta refuzojë dhe PD e Berishës të gjejë një modalitet formal të devijojë për të bërë një regjistrim formal.
Hyrja në koalicion me atë logo dhe atë emër nuk do pranohet nga Celibashi. Do i jepet kohë që të heqin simbolet dhe emrin dhe të vendosin diçka tjetër. Sipas meje nuk regjistrohet në atë formë.
Marrëveshja e koalicioneve në kuadër të kodit zgjedhor depozitohet në KQZ dhe siç del emri i kryetarit del dhe emri i partisë dhe logoja. Nëse bëhet nga një palë që përdor simbolikën e një pale tjetër tashmë do i jepet mundësia të zgjedhë një paraqitje tjetër”, është shprehur avokati Jordan Daci në “Open”.