KLGJ kujtohet të emërojë 40 magjistratët e rinj

0

Shkruan Edmond Hoxhaj

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami parashtroi në fillim të mbledhjes plenare të mëkurën më 11 tetor shqetësimin lidhur me emërimin dhe caktimin në detyrë të 40 magjistratëve të rinj, proces që po mbahet peng prej dy muajsh e gjysmë nga këshilli që ajo drejton në kundërshtim me ligjin.

Ajo e cilësoi si prioritare mbledhjen e së mërkurës për transferimin e gjashtë gjyqtarëve në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, duke theksuar se kjo vinte pasi ishte ‘prioritet emërimi magjistrarëve’. Llagami vërejti se këto transferime të gjyqtarëve në detyrë janë masat që po merr këshilli për të mundësuar emërimin e magjistratëve të rinj, brenda javës së ardhshme. KLGJ njoftoi gjithashtu se emërimi i 40 magjistratëve do të bëhet të enjten.

KLGJ e pyetur më parë nga BIRN lidhur me zvarritjen e procesit të emërimit dhe caktimit në detyrë të 40 magjistratëve të rinj të diplomuar në muajin qershor, u justifikua se ishte duke u kryer ende procesi i lëvizjeve paralele dhe ngritjes në detyrë të gjyqtarëve ekzistues. Mosemërimi për dy muaj e gjysmë i 40 të diplomuarve për gjyqtarë vjen në kundërshtim me ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…” që parashikon se brenda afatit një mujor nga data e publikimit të listës së të diplomuarve, këshillat emërojnë magjistrat çdo person që është në listën e të diplomuarve, i cili përmbush kriteret e emërimit.

Ndërkohë që KLGJ ka vonuar në kundërshtim me ligjin emërimin e 40 magjistratëve të rinj, të kërkuar vetë prej saj në vitin 2020, gjykatat janë zbrazur nga procesi i vetingut dhe reth 100 mijë dosje mbeten stok për t’u shqyrtuar.

Mbledhjen e të mërkurës, Këshilli mori vendim për transferimin me procedurën e lëvizjes paralele të gjyqtares Thomaida Roça në Gjykatën e Elbasanit. Po me lëvizje paralele u vendos transferimi në Tiranë i gjyqtares Nertila Kape. Po ashtu, u vendos transferimi i përkohshëm në Gjykatën e Durrësit i gjyqtares Suela Xhani; në Elbasan u transferua gjyqtari Ardit Kuka; ndërsa në Tiranë u transferuan gjyqtarët Ramiz Lala dhe Arben Dosti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu