Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arjeta Abazi, për FrontOnline ka reaguar ashpër ndaj vazhdimit të bllokadës në Kuvendin e Kosovës, duke e quajtur situatën një krizë të thellë institucionale për të cilën sipas saj përgjegjës është Albin Kurti.
Abazi ka shprehur moskuptim për qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka akuzuar Kurtin për zvarritje të qëllimshme të procesit të konstituimit.
“Nuk i di planet e VV-së dhe nuk e di se çka kanë menduar, pse e kanë stërgjatur këtë çështje, por di me tregu se është krizë institucionale,” u shpreh ajo.
Ajo theksoi se bllokada aktuale në Kuvend është rezultat i strategjisë politike të Kurtit për të mbajtur vendin në pasiguri për interesa personale.
“E gjithë kjo bllokadë e ka emrin: Albin Kurti. Është strategji e tij për ta mbajtur peng vendin, për interesa të tij personale e partiake,” deklaroi Abazi për FrontOnline.
Deputetja e LDK-së i bëri thirrje Kurtit që të marrë përgjegjësinë për formimin e institucioneve dhe të vendosë interesin publik mbi atë personal.
“Kjo është detyrë e Kurtit për me i siguru numrat për formim të institucioneve, por atij po i duket më e rëndësishme karriga e tij se sa jeta e qytetarëve,” përfundoi ajo.