Juristja Brizida Gjikondi i bëri ftesë ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të bëhet bashkëpunëtor me drejtësinë në çështjen “Gërdeci”.
Teksa diskutohej për masën e caktuar nga SPAK ndaj Sali Berishës, Gjikondi dhe Mediu kanë debatuar lidhur me një prej aferave të qeverisë Berisha në vitin 2008 sikurse është “Gërdeci”.
“Për çështjen e Gërdecit do ishit një bashkëpunëtor shumë i fuqishëm i drejtësisë për të treguar çfarë ka ndodhur.
Ju shoh si dëshmitar të drejtësisë. Ne e dimë shumë mirë se çfarë vakumi ka pasur drejtësia shqiptare.
E dimë shumë mirë që ka shumë çështje të pa hetuara në thellësi”, tha Gjikondi në emisionin “3D” të moderatorit Alban Dudushi .
Për ish-ministrin, dorëzimi i imunitetit vite më parë për këtë arsye ishte një hap jo i lehtë, por qëllimi i tij ishte pikërisht të mos bëhej pengesë për drejtësinë.
“Secili mund të supozojë. Nuk jeni vetëm ju. Unë kam dorëzuar imunitetin. E para, njëherë, kam dhënë dorëheqjen si ministër dhe ky akt nuk është gjë e lehtë.
Në kulmin e karrierës sime, pak ditë para se të merrej ftesa për anëtarësim, puna, angazhimi dhe ëndrra ime në respekt të atyre që humbën jetën atje dhe familjet e tyre.
Nuk e kam bërë ndonjëherë debat publik këtë çështje. Jam përpjekur të ndjekë të gjitha procedurat. Nuk jam pyetur ndonjëherë për asgjë. Kjo i takon një procesi që duhet të ishte transparent,” u shpreh kryerepublikani Mediu.