Deputetja Jorida Tabaku tha se rezultatet e 14 majit janë më të këqijat e mundshme që opozita mori në zgjedhje. Tabaku tha se Edi Rama ka perfeksionuar metodën e vjedhjes së zgjedhjeve. Tabaku tha se opozita duhet të krijojë një frymë, të cilës nuk mund ti bëjë ballë as blerja e votave, as manipulimi në një proces zgjedhor.
Në një intervistë për ACTV në New York, Tabaku tha se në 14 maj, u tregua se oferta opozitare ishte Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët treguan se nuk mund të fitojnë, pasi morën vetëm 6 bashki. Por sipas saj, pjesa tjetër e opozitës, nuk arriti të organizohet dhe të nxjerrë kandidatë.
“Kisha shpresuar që pas 14 majit të kishim reflektuar të gjithë. Berisha nuk mund të çojë PD në fitore, por ka një numër të konsiderueshëm zgjedhësish që i duhen PD-së dhe opozitës. Në anën tjetër PD nuk mund të rikthehej në zgjedhjen e Lulzim Bashës si kryetar, pasi ky është një tjetër gabim, nuk është zgjidhje”, tha Tabaku. Sipas saj, PD duhet të kapërcejë veten, duhet të lërë pas të shkuarën dhe të shohë përpara, të gjejmë një zgjidhje, që do të mund të krijojë frymën opozitare.
Lidhur me aferën e inceneratorëve, Tabaku tha se në Tiranë është abuzimi më i madh në aspektin financiar.
Tabaku tha se në Elbasan shkoi 28 mln euro pa TVSH, në Fier 28 mln euro pa tvsh, dhe në Tiranë kontrata nisi me 139 mln euro pa TVSH, ndërsa Qeveria shqiptare pothuajse po paguan 390 mln euro, pasi kontrata është hartuar në mënyrë të tillë, që edhe nëse nuk depoziton mbetjet, sipas tavanit të përcaktuar, atëherë shteti do të paguajë kompaninë.
“Kryebashkiaku është angazhuar për 139 mln euro, por nuk ka pyetur Këshillin Bashkiak. i ka vënë në dispozicion tokën, por pa marrë vendimin e Këshillit Bashkiak dhe çfarë është më e rënda, e cila provohet edhe nga SPAK, është fakti se kontratat janë shkruajtur nga kompanitë private dhe janë sigluar nga shteti”, tha Tabaku.
Sipas saj, pjesë e gjithë kësaj afere është edhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi dhe është e pakonceptueshme që Kryeministri mos të ketë qenë në dijeni.
Ajo tha se lidhur me këtë aferë duhet të merren të pandehur edhe Damian Gjiknuri dhe Erion Veliaj.