Shkruan Alba Kepi
Vetëm 48 orë mungojnë nga mbyllja e afatit kohor të paraplotësimit të formularit për t’u punësuar në Itali si punëtorë sezonalë e po ashtu 48 orë para nisjes së asaj që në gjuhën teknike instucionale njihet si CLICK DAY, dita e regjistrimit telematik në portalin e Ministrisë së Brendshme Italiane.
Prej orës 9.00 të mëngjesit të 27 marsit nis hapja e procedurës zyrtare që jep mundësinë e hyrjes në programin e sistemit të punësimit italian për punonjës sezonal në 2023.
Italia ka nevojë për krah pune e qeveria italiane ka aprovuar dekretin ligjor i cili është publikuar dhe në Fletoren Zyrtare, duke hapur mundësi punësimi për 82 705 punëtorë ekstrakomunitarë sezonalë e autonomë.
Kjo mundësi u jepet punëtorëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bangaldeshi, India, Nigeria,Pakistani, Moldavia e vende të tjera ekstrakomuntiare.
Ky dekret ligj jep mundësi dhe të konvertimit të lejes së qëndrimit nga studimi në leje për motiv punësimi, për ata persona që vijnë nga këto vende e që jetojnë momentalisht në Itali për shkollim e formim profesional.
1000 kuota janë parashikuar për punonjës profesionalë që në vendin e tyre të origjinës kanë përmbushur ciklin e formimit e studimit profesional.
Gjithashtu rreth 500 kuota janë parashikuar për ata emigrantë të ardhur nga këto vende që kërkojnë të investojnë në Itali përmes një plani me interes për ekonominë italiane e me burime financiare jo më pak se 500 mijë euro, për artistë e profesionistë me karrierë të sukseshme, për profesionistë autonomë që kërkojnë të ushtrojnë profesionin e tyre në Itali me kushtet e përmbushuar e dokumentacionin e lëshuar në bazë të rregullave nga urdhërat e shoqatat profesionale italiane të njohura nga administrata publike, si dhe për atë kategori punonjësish që kërkojnë të ndërtojnë sipërmarrje start up rinovuese në ekonominë italiane.
Deri më 26 mars është e mundur paraplotësimi i formularit të aplikimit në Portalin e Ministrisë së Brendshme Italiane e prej orës 9.00 të 27 marsit nis regjistrimi zyrtar.
83 702 kuotat e para që përmbushin kushtet e kërkuara do të kenë mundësi të bëhen pjesë e sistemit italian të punësimit sezonal.
Kërkesat e kuotat për çdo kategori bëhen përmes punëdhënësve italianë e nevojave të tyre.
Sektorët e kërkuar për punësim janë ndërtimi, bujqësia, mekanik, elekomunikim, turizëm-hoteleri, sektori detar e ai ushqimor.