Ish-agjenti i lartë i FBI-së, Charles McGonigal, pritet të deklarohet fajtor për akuzat se ka fshehur 225,000 dollarë pagesa në cash nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare, i cili u bë burim i një hetimi të FBI-së, sipas të dhënave të gjykatës, shkruan Reuters.
McGonigal, do të paraqitet sot një seancë për pranimin e fajësisë në gjykatën federale të Uashingtonit. Ai u deklarua fajtor për një akuzë konspirative në gjykatën federale në Manhattan muajin e kaluar në një rast të veçantë në lidhje me punën e tij për oligarkun rus Oleg Deripaska ndërsa Deripaska ishte i sanksionuar nga SHBA.
McGonigal po përballet me një padi prej nëntë pikash në Uashington, duke e akuzuar atë për dështimin për të raportuar pagesat në para dhe udhëtimet që ai bëri me ish-oficerin e inteligjencës në Europë në 2017 dhe 2018.
Ai më parë u deklarua i pafajshëm për këto akuza. Një paragraf hyrës në dosjen e gjykatës tregoi se McGonigal synon të ndryshojë kërkesën e tij të premten.
Ai nuk specifikoi se për cilat akuza do të deklarohej fajtor. Avokati i McGonigal dhe një zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të SHBA në Uashington nuk pranuan të komentojnë përpara seancës.
Prokurorët amerikanë thonë se ish-oficeri shqiptar i inteligjencës kishte interesa biznesi në Europë dhe ishte një burim për një hetim të FBI-së që përfshinte lobim të huaj të cilin e mbikëqyrte McGonigal.
Akuzat më të rënda kundër McGonigal mbartin një dënim maksimal prej 20 vitesh burg, por ka të ngjarë që prokurorët do të kërkojnë një dënim më të butë si pjesë e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë.