Shkruan Alfred Lela
Ka njerëz që e kanë në tipare prirjen e së keqes; në në sytë e tyre ta bën vazhdimisht me sy lebrave e qëllimve që fshehin.
Ja përshtypja për një portret, krijuar nga fotot që qarkullojnë në media: nxitimi i dikujt që mendon se vetëm duke ikur mund të fshihet, një suferinë flokësh si të erinive që përndiqnim mëmëvrasësit, një shprehi tiparesh të dikujt që e di se ka diçka në dorë, por di edhe se dora nuk është e saj.
Me pamjen shpagimtare të një trolli të legjendave skandinave, Irena Gjoka ka qenë gjyqtare ‘e gatshme’ në të gjitha çështjet penale në ngarkim të eksponentëve të opozitës, duke filluar nga profili më i lartë ndër ta, i Sali Berishës.
Kjo ‘rastësi’ e goglave, sikur asgjë tjetër, e bënte të dyshimtë atë dhe ‘hedhësin e lotarisë’.
Narrativa e opozitës, se zonja në fjalë kishte konflikt interesi, por edhe e kishte kaluar vettingun nëpërmjet shkeljesh -dhe me ‘ndërhyrje nga lart’- interpretoheshin nga burizanët e qeverisë si ‘sulm kundër drejtësisë së re”. Artikujt e gazetave greke merreshin si inkursione të së djathtës helene në territorin e shenjtë ilir, xhelozi e madhe e elitës politike të Athinës për starin rajonal e global ER; dhe përçartje të tjera të atyre që, meqë kanë të tashmen, mendojnë se mund të blejnë edhe të shkuarën. Të tyren dhe të shërbëtorëve.
Irena Gjoka nuk shihej, klasifikohej apo debatohej si gjyqtare e Republikës, por si kundërshtare dhe anatemë e Sali Berishës. Si ajo që do të rrëzonte me tërsëllëmë liderin historik të së djathtës duke rivendikuar një narrativë të së majtës në Shqipëri, që donte t’i shpjegonte të gjitha dështimet shqiptare me emrin e njërit prej atyre që i dha fund sistemit që kishte arritur në fund të çdo dështimi.
Irena u bë totemi antiberishian, simboli i një drejtësie të re që po funksiononte, një Shqipërie të re ku, më në fund, pandëshkueshmëria po fundosej për t’i lënë vendin epokës ‘lum kush të rrojë ta shohë zonjë!’.
Rezistenca e dokumentuar e opozitës, relacionet dhe rezolutat ndërkombëtare, shkeljet e hapura të segmenteve të drejtësisë së re, relativizoheshin nga Kryeministri dhe mbështeteshin nga burizanët e regjimit, derisa, me anë të stërpërsëritjes, shndërroheshin ose në fraza që boshatiseshin prej kuptimit ose ankesa me kalu radhën.
Kjo kronologji e ngjarjeve dhe ky kontekst, na ndihmon për të thënë se gjetjet e Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave Irena Gjoka ka fshehur dënimin në Greqi në formularin e dekrimit, nuk është vetëm përdhosje personale. Po kaq të përgënjeshtruar dhe të stigmatizuar duhet të jenë sot nga ky përfundim ai rrjet i tërë sazexhinjsh të qeverisë. Ky është një turpërim kolektiv, një ves i përbashkët, një imoralitet publik, një shkërdhatokraci epike e intelektualëve ‘të hurit dhe të litarit’, që prej kohësh ushtrojnë trysni jo nga lartësi, por nga pozicione, jo nga epërsi, por nga llogari.
Ata mund ta marrin totemin e gjyqtares me tre mbiemra dhe ta përdorin për të gjitha vrimat e gënjeshtrës.
Fytyra e drejtësisë së re nuk është sot më shumë se karikatura e një trolli të mitologjisë skandinave, të cilën prej shekujsh prindërit nordikë e përdornin për të trembur fëmijët.








