Institucionet e Kosovës, peng i kalkulimeve politike

0

Shkruan Zef Ndreka

Kriza e fundit institucionale në Kosovë po merr një dimension të ri politik pas deklaratave të presidentes në largim, Vjosa Osmani. Dikur e mbështetur fuqishëm nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga kryeministri Albin Kurti për t’u zgjedhur në krye të shtetit, sot ajo i akuzon pikërisht ata se e kanë çuar vendin drejt kësaj situate të rrezikshme institucionale.
Deklarata e saj se “vendi u soll këtu nga njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme” është shumë më tepër se një reagim i momentit. Ajo është një akuzë e drejtpërdrejtë politike që nënkupton se kriza e moszgjedhjes së presidentit nuk ishte një dështim i rastësishëm i politikës, por një skenar i kalkuluar për të prodhuar bllokadë dhe për ta çuar vendin në zgjedhje të reja.
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një precedent të rrezikshëm për demokracinë në Kosovë, me përdorimin e institucioneve kushtetuese si instrument taktik për qëllime politike.
Nga ana tjetër, deklarata e Osmanit është edhe një distancim i qartë politik nga Vetëvendosje. Pas viteve të një bashkëpunimi të dukshëm mes presidencës dhe qeverisë, kjo përplasje publike tregon se raportet mes tyre janë krisur thellë.
Në politikë, jo rrallë aleancat ndërtohen mbi interesa të përbashkëta momentale, por kur këto interesa ndryshojnë, edhe partnerët e djeshëm mund të kthehen në kritikët më të fortë të njëri-tjetrit.
Megjithatë, shtrohet pyetja:
nqs kjo krizë ishte vërtet e kalkuluar, pse reagimi i presidentes vjen vetëm në fund të mandatit dhe jo më herët?
Sepse në politikë, përgjegjësia nuk matet vetëm me fjalët që thuhen në fund të rrugës, por edhe me heshtjet që e shoqërojnë atë gjatë gjithë udhëtimit.
Dhe kjo krizë është një tjetër dëshmi se institucionet në Kosovë vazhdojnë të mbeten shpesh peng i kalkulimeve politike, në vend që të jenë garancia më e fortë e stabilitetit demokratik të vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu