“Institucionet e drejtësisë të jenë të pavarura”/ Takim i papritur mes Ramës dhe Kim, janë në një mendje

0

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar një takim të panjoftuar më herët, këtë të hënë, me kryeministrin Edi Rama.

Është Ambasada e SHBA ajo që zbardh takimin mes Ramës dhe Kim, e cila është në përfundim të mandatit të saj diplomatik në Shqipëri.

Sipas Ambasadës, Kim dhe Rama diskutuan për një sërë çështjesh, rajonale, globale por edhe në kuadër të forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA.

Rama dhe Kim diskutuan edhe për instutucionet e reformës në drejtësi, një çështje mbi të cilën është aulduar në media si shkak i përplasjes mes qeverisë dhe ambasadores amerikane, për shkak të “preferencave” në zgjedhjen e kreut të ri të SPAK.

“Në këtë kontekst, ata diskutuan arritjet, si dhe sfidat, në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Ata ishin në një mendje se është kritike që institucionet e drejtësisë të Shqipërisë të jenë të pavarura dhe të guximshme në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre”, bën me dije ambasada e SHBA.

NJOFTIMI I PLOTË:

Ambasadorja Kim u takua me Kryeministrin Rama më 12 dhjetor për të rishikuar arritjet në marrëdhënien SHBA-Shqipëri gjatë vitit 2022 dhe për të diskutuar mënyrat për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit tonë në fushën e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit gjatë vitit 2023.

Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për udhëheqësinë dhe kontributet e rëndësishme të Shqipërisë gjatë vitit të parë të saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Roli i Shqipërisë në KSKB ka qenë me rëndësi kritike për çështje të rëndësishme globale, përfshi mbështetjen e Ukrainës përballë pushtimit nga Rusia.

Ambasadorja Kim njohu kontributet e Shqipërisë në integrimin dhe stabilitetin rajonal, përfshi gjatë thirrjeve të Shqipërisë për vetëpërmbajtje në veriun e Kosovës. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë dënuar të gjitha sulmet ndaj agjencive kosovare dhe ndërkombëtare të sigurisë si dhe kërcënimet për dhunë dhe kanosje, si dhe shprehën mbështetje të plotë për KFOR-in dhe EULEX-in. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë nxitur palët që të punojnë brenda kuadrit të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që përbëjnë shqetësim.

Ata diskutuan mënyrat për të ndërtuar më tej mbi arritjet historike në marrëdhëniet e mbrojtjes SHBA-Shqipëri, përfshi aftësitë dhe kontributet ushtarake në rritje të Shqipërisë si aleate në NATO. Ambasadorja riafirmoi mbështetjen e fortë të Shqipërisë përballë sulmeve kibernetike të Iranit.

Ambasadorja Kim i përcolli përgëzime të ngrohta Kryeministrit për mikpritjen e suksesshme të Samitit historik BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, duke vërejtur se është hera e parë që një samit i tillë është zhvilluar jashtë Brukselit. Ajo ritheksoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin vendosmërisht integrimin e plotë të Shqipërisë si anëtare e BE-së. Në këtë kontekst, ata diskutuan arritjet, si dhe sfidat, në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Ata ishin në një mendje se është kritike që institucionet e drejtësisë të Shqipërisë të jenë të pavarura dhe të guximshme në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre.

Ambasadorja Kim dhe Kryeministri Rama pohuan se, teksa mbyllim vitin që shënon 100 vjet nga vendosja fillestare e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, partneriteti ynë është më i fortë se kurrë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu