Shkruan Zef Ndreka
Sot, indiferencat e ndërkombëtarëve për opozitën shqiptare nuk janë as rastësi dhe as kapriço diplomatike, por rezultat i një procesi të gjatë erozioni politik, morali dhe përfaqësimi që opozita ia ka shkaktuar vetes.
Në të vertetë opizita ka humbur tërësisht besueshmëria dhe duhet thënë hapur se ndërkombëtarët nuk angazhohen me aktorë politikë mbi bazë nostalgjie apo simpatie historike, por mbi kapacitetet për të qeverisur, për të garantuar stabilitet dhe për të prodhuar zgjidhje.
Opozita shqiptare, e fragmentuar, e konfliktuar dhe e kapur nga interesa dhe sjellje personale, për fat të keq, ka dështuar të shfaqet si alternativë serioze pushteti, sepse nuk arrin të prodhojë programe, nuk prodhon lidership të besueshëm dhe kohezion të brendshëm. Dhe kështu pushon së qeni alternativë qeverisëse.
Duhet pranuar se opozita e sotme shqiptare ka kaluar tashmë nga partner strategjik që ishte, në faktor destabilizues për vendin. Në sytë e ndërkombëtarëve, opozita shqiptare ka kaluar gradualisht ndër vite nga partner politik në aktor thjeshtë protestash dhe më kryesorja ka kaluar në faktor pasigurie institucionale.
Sjelljet radikale, bojkotet e përsëritura, djegiet e mandateve dhe konfliktet e dhunshme brënda saj, e kanë vendosur opozitën jo në krah të reformës, por shpesh kundër rendit institucional. Pikërisht për këto, diplomacia perëndimore është alergjike ndaj kaosit politik, sidomos në një rajon ende të brishtë si Ballkani.
Një nga pikat kyçe të indiferencës ndërkombëtare është SPAK-u. Ndërkombëtarët e shohin reformën në drejtësi si vijë të kuqe strategjike. Opozita, në vend që ta përqafojë si mjet çlirimi nga korrupsioni sistematik, gjithnjë është sjellur dhe perceptuar në opinion si selektive, ku e mbështet drejtësinë vetëm kur godet kundërshtarin, dhe e delegjitimon kur prek radhët e veta. Kjo sjellje ka minuar pretendimet për standarde morale.
Edhe pse qeveria e sotme anatemohet si e keqja e njohur, përsëri në diplomaci ekziston parimi cinik por realist, që stabiliteti paraprin demokracinë. Dhe për sa kohë qeveria aktuale garanton stabilitet institucional, bashkëpunim në çështje rajonale, vijimësi në politikat euroatlantike, atëherë ndërkombëtarët preferojnë të keqen e njohur ndaj një opozite që nuk ofron siguri për ditën tjetër.
Kjo ndodh sepse opozita është pa vizion europian. Për ironi, opozita flet për Europën, por nuk sillet si europiane. Demokracia e brendshme mungon, kulti i individit dominon, ka mungesë rotacioni dhe e përfshirë tërësisht nga konfliktet klanore. Të gjitha këto janë antitezat e standardit politik perëndimor. Ndaj ndërkombëtarët nuk investojnë në forca që nuk janë të afta të reformojnë as vetveten.
Duhet theksuar me zë të lartë, se indiferenca e ndërkombëtarëve nuk është padrejtësi ndaj opozitës, por është pasqyrë e saj. Asnjëherë dhe askush nuk injorohet pa arsye në politikën ndërkombëtare. Kështu, nqs opozita shqiptare e dëshiron realisht vëmendjen e tyre, mbështetjen dhe respektin, ajo duhet të ribëjë kontratën e sinqertë me shoqërinë, të
distancohet realisht nga e shkuara që e ka shumë të.vështirë për të.mos thënë të oa mundur dhe të shndërrohet nga një opozitë e zhurmshme në një alternativë të besueshme pushteti.
Përndryshe, indiferenca do të vazhdojë më tej dhe do të jetë jo zgjedhje e ndërkombëtarëve, por pasojë e pashmangshme e tyre…








