Ilir Meta, President i PL-së, i cili prej disa muajsh ndodhet në qeli me vendim të GJKKO-së, është shprehur se miqtë e tij të huaj i kishin ofruar edhe azil politik në vende të BE dhe NATO-s, por ai kishte refuzuar.
Meta në një intervistë për ‘Syri’ shprehet se për arrestimin e kishin paralajmëruar miq të huaj.
“Në 21 Tetor 2023, isha në Austri për një kontroll mjekësor, ditën kur u rrëmbye në aeroport Prof. Jamarbër Malltezi dhe SPAK ju vërsul Sali Berisha, një mesazh interesant i erdhi personit që ishte me mua nga një bashkëpunëtor i Charles McGonigalit, i cili i thoshte me pak fjalë se ky është fillimi, se qëllimi është te Meta.
Po kështu, pata shumë telefonata se ku isha, pasi ishin shpërndarë lajme se po shkoja në Hungari për azil politik.
Madje edhe një gazetar i njohur opozitar e dashamirës më tha mos u kthe këto ditë sa të qetësohen gjërat.
Të premten, u thashë, pasdite arrij në Rinas, u thuaj të gjithëve të më presin.
Shumë miq, të njohur edhe ndërkombëtarë, jo vetëm më paralajmëruan se do më arrestonin, por edhe më ofruan mbështetje për azil politik edhe në vendet e BE dhe NATO.
I falenderova shumë për përkujdesin e tyre, por u thashë se unë s’mund të realizoj ëndrrën e armiqve të vendit tim dhe mercenarëve të tyre, që nga Rama e gjithë veglat e tyre në drejtësi e kudo.
Nëse do kishin një provë apo fakt penal, sado minimal, ata kurrë s’do kishin inskenuar atë rrëmbim mafioz që në historinë e Gjykatës së Strasburgut do hyjë si precedent më skandaloz deri më sot.
Ata i arritën disa qëllime afatshkurtra, si izolimin tim ekstrem, dobësimin e fuqisë opozitare në publik, frikësimin e shumë njerëzve, por në afatgjatë fitorja më takon mua dhe gjithë patriotëve.
Ata shpresuan që përmes izolimit ekstrem dhe përpjekjeve për të korruptuar disa nga personat që komunikonin me mua, të krijonin prova apo fakte penale, siç bënë me kolegun e tyre Veliaj.
Edhe zvarritjet e hetimeve të nisura nga Dumani që në Dhjetor 2019 me urdhër të Ramës e McGonigal, i shtyjnë qëllimisht për të zvarritur gjyqin në themel, i cili do jetë i hapur”, tha Meta.