Thellohet skandali; zbulohet një foto e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Metaj me Agron Nezën dhe me ish-agjentin e FBI-së, Mark Rossini. Fotografia është bërë në vitin 2013, në restorantin “Sofra e Ariut” në Tiranë.
Kjo foto rrëzon përfundimisht pretendimet e opozitës Berisha-Metaj, sipa të cilave ata nuk kishte njohje me shqiptaro-amerikanin Agron Neza si dhe me rrethin e McGonigal. Dhe në veçanti kjo foto rrëzon deklaratat e Ilir Metës që nuk e njihte ish-agjentin e Shërbimit Sekret Shqiptar, Agron Nezën.
Ky i fundit është kthyer në një kalë beteje nga dyshja Berisha-Metaj, për shkak të bashkëpunimit të tij korruptiv në llogari të Edi Ramës për të goditur kreun e opozitës, Lulzim Basha, me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.
Interesant është edhe fakti që darka është organizuar pak kohë pasi është prishur koalicioni qeveritar mes Sali Berishës dhe Ilir Metës dhe më pas kreu aktual i Partisë së Lirisë, kaloi në aleancë me Edi Ramën.
Në atë kohë, Mark Rossini dhe Charles McGonigal, në bashkëpunim me shqiptaro-amerikanin Agron Nezaj që në dosje është ‘Personi A’ dhe Shefqet Dizdarin kishin hapur një studio ligjore të quajtur ‘Law Office and Investigation’ në Shqipëri.
Ndërkohë, Sali Berisha ka akuzuar disa herë se ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal dhe ortaku i tij Mark Rossini janë angazhuar në ‘veprimtari kriminale’ për llogari të Ramës dhe që sipas tij, kishin qëllim të asgjësonin opozitën. Por tashmë rezulton se aleati i tij, Ilir Meta ka njohje me Rossinin. Në këtë pikë, ose akuzat e Berishës janë thjesht propagandë, ose edhe Meta ka punuar për asgjësimin e Partisë Demokratike.
Ndërkohë, një personazh tjetër kontrovers në këtë foto është edhe biznesmeni kinez Patrick Ho që është në foto përballë Metës.
Biznesmeni kinez u dënua me tre vite burg në dhjetor të 2018 nga një gjykate amerikane në New York. Ai u dënua për rryshfet ndërkombëtar dhe pastrim parash për rolin e tij në një skemë shumëvjeçare, shumëmilionëshe për të korruptuar zyrtarët e lartë të Çadit dhe Ugandës në këmbim të avantazheve për CEFC China Energy Company Limited (“CEFC China”).
Tashmë duhet të presim se çfarë justifikimi do të japë pas kësaj fotoje dhe marrëdhënie Ilir Metaj, por edhe Sali Berisha. Të dy pikërisht për këtë skandal, kanë thirrur në 11 shkurt shqiptarët që të protestojnë.