Vitin e kaluar numri i rasteve të kontrabandës së refugjatëve në Gjermani u rrit ndjeshëm në landet ku përfundon “rruga ballkanike”. Kontrabandistët po bëhen gjithnjë e më agresivë.
Patrick Rautenberg shikon me kujdes trafikun në A94 afër Mühldorf, pranë kufirit bavarez-austriak. Polici kufitar me përvojë nuk duhet të presë gjatë. Së shpejti shfaqet një minibus i zi me regjistrime shqiptare. “Ky është një automjet tipik i përdorur nga kontrabandistët,” thotë Rautenberg.
Kolegu i tij shtyp pedalin e gazit. Në fund, ky kontroll ishte i parrezikshëm, siç janë shumica e tyre, shpjegon Rautenberg. Por disa kontrolle shndërrohen në ndjekje të rrezikshme – ndonjëherë me pasoja vdekjeprurëse.
Numri i hyrjeve ilegale në Gjermani u rrit në vitin 2023 krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2023, anëtarët e Policisë Federale Gjermane regjistruan pothuajse 128.000 kalime ilegale kufitare, që është rreth 39 për qind më shumë se në vitin 2022.
Përveç kësaj, shumë oficerë policie raportojnë se kontrabandistët po bëhen më të pamëshirshëm. Kjo rrit rrezikun për refugjatët, për përdoruesit e tjerë të rrugës dhe policinë. Një pasojë tjetër: çdo kontrabandë e konstatuar bëhet një çështje për drejtësinë. Prokuroritë dhe gjykatat në zonat kufitare kanë gjithnjë e më shumë punë – ndonjëherë nuk mund t’i përfundojnë fare rastet në kohë.
Ndërrimi i Rautenberg sot ishte paqësor. Në automjetin tjetër që ai kontrolloi, kishte vetëm një familje me një foshnjë, nuk kishte asnjë kontrabandë. Megjithatë, shumë nga rastet që ai dhe kolegët e tij nga Policia Federale përjetojnë në kufijtë me Poloninë, Republikën Çeke dhe Austrinë përfundojnë para organeve gjyqësore.
Një rast i tillë është aksidenti pranë Ampfing në rrethin e Mühldorf. Atje, në tetor 2023, shtatë refugjatë vdiqën kur një makinë u përmbys dhe u rrotullua disa herë gjatë një ndjekjeje policore. Ose rasti i kontrabandistit që sulmoi drejtpërdrejt kolegen e Rautenberg. Ajo, duke u hedhur anash, mezi arriti të shpëtojë veten.
Raste të tilla trajtohen nga Pia Dirnberger, prokurorja e shtetit pranë kufirit në Traunstein. Ajo aktualisht po përgatitet për një gjyq shumëditor kundër një kontrabandisti dhe po shqyrton edhe një herë aktakuzën. Ndër të tjera, kontrabandisti akuzohet se ka kërcënuar refugjatët me armë.
Dirnberger shpenzon gjysmën e kohës së punës në rastet e trafikimit të qenieve njerëzore. Vjeshtën e kaluar, aq shumë raste të reja mbërritën në departamentin e saj, saqë u desh t’i shpërndanin ato edhe në departamente të tjera.
Në landet ku përfundon “rruga ballkanike” për shumë refugjatë, numri i procedimeve kundër kontrabandistëve është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Në Bavari, për shembull, numri i procedurave u trefishua midis 2019 dhe 2023. Në Brandenburg, prokurorët kishin 28 për qind më shumë çështje vitin e kaluar sesa në 2022.
Edhe në Saksoni, numri i rasteve të regjistruara të kontrabandës me njerëz pothuajse u dyfishua në të njëjtën periudhë. Gjykata komunale në Pirnë është marrë kohët e fundit pothuajse ekskluzivisht vetëm me rastet e kontrabandës. Kishte mungesë të hapësirës, mungesa të përkthyesve, ndërkohë që edhe zyrtarët e gjykatës ishin në kufirin e kapaciteteve të tyre.
Numri i procedimeve penale kundër kontrabandistëve jo vetëm që është rritur, por këto procese po bëhen gjithnjë e më të komplikuara, shpjegon prokurorja, Pia Dirnberger nga Traunstein. Sa më të pamatur të jenë kontrabandistët, aq më i lartë është dënimi në fund.
Të argumentosh me prova, se kontrabandistët kanë rrezikuar njerëz të tjerë kërkon shumë punë. Për shembull, njerëzit që janë kontrabanduar duhet të përshkruajnë të gjitha rreziqet gjatë udhëtimit si dëshmitarë, e për këtë zakonisht nevojiten përkthyes.
Raportet e shumta të ekspertëve janë gjithashtu të ndërlikuara. Qëllimi i të tyre është, për shembull, të dëshmojnë se disa ngarje kontrabande mund të kenë një rezultat fatal. Përveç kësaj, kërkimi i organizatorëve, të cilët kryesisht ndodhen jashtë vendit, është gjithashtu i ndërlikuar. Për hetimet ndërkufitare, duhet të lidhen edhe marrëveshje të veçanta ndërshtetërore për detajet ligjore të bashkëpunimit, thotë Dirnberger.
Pro Asyl: kushte çnjerëzore në kufijtë e jashtëm të BE-së
Është e vështirë të parashikohet se si do të zhvillohen lëvizjet e migracionit drejt Gjermanisë në të ardhmen. Në Brandenburg, sipas zëdhënëses së Policisë së Berlinit, kontrollet e përhershme kufitare kanë rezultuar të jenë të mira. Refugjatët tani më shpesh vendosin të kalojnë kufirin në këmbë, në vend që të hipin në furgonë të stërmbushur.
Organizatat për të drejtat e njeriut, si Pro Asyl, kanë një pikëpamje të ndryshme për zhvillimin e kësaj situate. Kushtet për refugjatët në kufijtë e jashtëm të BE-së po bëhen gjithnjë e më çnjerëzore, thotë zëdhënësja e Pro Asyla Wiebke Judith. Për sa kohë që është kështu dhe për sa kohë që nuk ka rrugë të tjera ligjore për në Gjermani, refugjatët mbeten në duart e kontrabandistëve të pamëshirshëm.