Shkruan Zef Ndreka
Një fundjavë dimri, gjatë një ngjitjeje në mal, doktoresha ime e familjes, Dr.med Brigitte, pësoi një aksident të rëndë. Një rrëshqitje mbi dëborën e ngrirë mjaftoi që të thyente femurin, kockën më të gjatë dhe ndër më të fortat e trupit të njeriut. Ishte një nga ato goditje të papritura të jetës që e ndalin njeriun në mes të hapit dhe e detyrojnë të përballet me dhimbjen dhe pafuqinë.
Kirurgët ortopedë ndërhynë menjëherë. Operacioni ishte i vështirë, por kocka u përforcua me elementë metalikë dhe u fiksua me vida. Gjithçka shkoi mirë nga ana mjekësore. Por ajo që ndodhi më pas ishte diçka që nuk matet me analiza, as me radiografi. Ishte forca e karakterit dhe ndjenja e detyrës.
Doktoresha nuk u dorëzua.
Vetëm pak ditë pas operacionit, sapo arriti të ngrihej në këmbë me ndihmën e shkopinjve ortopedikë, ajo filloi të kontaktonte sërish pacientët e saj. Nga dhoma e spitalit caktonte takime me telefon, jepte këshilla, përgatiste receta për ilaçe. Dhimbja ishte aty, por mbi të qëndronte ndjenja e përgjegjësisë ndaj njerëzve që kishin besuar shëndetin e tyre në duart e saj.
Sapo doli nga spitali, pa bujë, pa zhurmë, pa kërkuar asnjë lloj vëmendjeje, ajo u kthye në vendin ku ndihej më e nevojshme: në zyrën e saj të vizitave, aty ku e prisnin pacientët.
Një ditë u gjenda edhe unë në atë zyrë. Kisha shkuar për analiza gjaku dhe për të marrë disa medikamente. Kur dera u hap dhe pashë doktoreshën që më priste vetë, zemra m’u mbush me një ndjenjë të thellë keqardhjeje. Mendova për dhimbjen që duhet të ndiente dhe, për një çast, u ndjeva në faj që kisha shkuar, sikur po e vija në vështirësi mjeken time të familjes.
Por ajo më priti me të njëjtën buzëqeshje të ngrohtë si gjithmonë. Me qetësi, me durim dhe me përkushtim mbaroi punë me mua, sepse jashtë priste pacienti tjetër. Asnjë ankesë, asnjë shenjë lodhjeje. Vetëm detyra dhe humanizmi.
Në atë çast mendimet më vërshuan njëra pas tjetrës. Një sjellje e tillë, në përvojën time, nuk ka ndodhur dhe vështirë se ndodh në vendin tim. Nuk e kam parë të ndodhë as në Itali, ku kam jetuar për shumë vite.
Doktoresha Brigitte nuk mbajti fjalime dhe nuk kërkoi mirënjohje. Mes dhimbjesh, në heshtje, ajo thjesht bëri atë që ndiente se ishte detyra e saj.
Dhe unë mbeta pa fjalë.
Në mendjen time mbeti përfytyrimi i kësaj gruaje të fortë, që me përulësi dhe dinjitet vazhdonte të shërbente. Një heroinë e heshtur e jetës së përditshme, një figurë që të kujton se humanizmi i vërtetë nuk shpallet me fjalë të mëdha, por jeton në veprat e vogla, në përkushtimin ndaj njeriut dhe në përgjegjësinë ndaj detyrës.








