Çelia e negociatave me BE-në, sigurisht është një ngjarje shumë e shënuar për Kombin Shqiptar.
Ndryshe nga analizat politike që vijnë nga kampi opozitar, jo vetëm për xhelozi, tashmë fillon një etapë tjetër më intensive për qeverinë, më me përgjegjësi dhe njëkohësisht me të njëjtën frymë duhet të veprojë dhe të luaj edhe opozita dhe tërë politika që operon në vendin tonë.
Por çfarë ndodh?!
Rëndom, zëra të opozitës artikulojnë deri në largimin pa kushte të Ramës nga qeveria, kinse në emër të një konsensusi të nevojshëm për të arritur anëtarësimin e plotë.
Madje, këto zëra që e kanë burimin nga ballkoni, paragjykojnë se qëndrimi i Ramës në pushtet do e minojë proçesin e anëtarësimit!
Kjo është më tepër se ironi. A thua se deri më sot, opozita ka paska punuar ndryshe.
Jo! Duhet thënë dhe theksuar me forcë se kur ishin ditët e arta për tu anëtarësuar në BE, pikërisht qeveria e Berishës është bërë pengesë absolute që shqiptarët të ishin pjesë reale në Bashkimin Europian.
I kujtojmë shumë mirë momentet kur minonin sistemin e drejtësisë, kur dhuronin normat e demokracisë, kur vidhnin dhe tjetërsohen votat popullore, kur kërcisnin dajakun ndaj opozitës.
Berishizmi, tentoi të zinte vendin e enverizmit si koncept dhe në veprime. Këto janë në thelb edhe pasojat që PD-ja vuan sot dhe nuk po gjen formë të dalë prej saj.
Shqiptarët, në vetvete ndjehen të anëtarësuar në BE. Ato janë shumë përpara politikës së konfliktit që karakterizon politikën në vend.
Shumë shqiptarë sot janë qytetarë të BE-së dhe Amerikës me pasaporta dhe të drejta të barabarta me to.
E kuptojmë lehtë politikën e BE-së që luan me ne shqiptarët, në fakt me qeveritë, si me nxënësin e dobët apo të keq, që i jep detyra hera-herës për të ngritur nivelin dhe për të kapur standartët. Por standarte nuk janë vetëm infrastruktura, për të cilën programet e zhvillimit të ekonomisë dhe financat e BE-së nuk mungojnë edhe për Shqipërinë.
Ne duhet të jemi më të qartë vetë si popull, që jemi pjesë e Europës jo vetëm gjeografikisht. Ndërsa çalojmë realisht, kur njërin sy e mbajmë nga Rusia nga Kina dhe Turqia!
Opozita, në emër të një konsensusi për të arritur objektivin mbi 30 vjeçar të ëndrrave të qytetarëve të vendit se: “E duam Shqipërinë Demokratike, e duam Shqipërinë si Europa”, në radhë të parë duhet të shikojë dhe të centrohet për vete, e jo të kërkojë në këto momente qeveri teknike në emër kinse të integrimit.
Askush nuk të dhuron pushtet, sidomos në politikë.
Opozita, duhet të ndryshojë në radhe të pare mentalitetin, format e të bërit politike, të organizohet siç duhet për të mbledhur vota të merituara, duke ju larguar formave jo demokratike.
Revolucionet dhe forma të tjera si këto, tashmë janë të tejkaluara për vendin tonë, pjesë dhe anëtar i Nato-s.
Opozita duhet të kuptojë se me non grata-t nuk ec përpara.
Është fat dhe bekim që më në fund u çelen negociatat. Që do të thotë më shumë përgjegjësi, më shumë transparencë, më shumë liri, më shumë drejtësi për shqiptarët.
Urime Shqipëri!
Urime për gjithë Shqiptarinë!