Hamit Aliaj, është fjala ku do mbështesim kryet

0

Shkruan Hasan Muzli Selimi

Dikur, dikund e kam lexuar se maleve sa më shumë iu largohesh ato bëhen edhe më madhështore. Nuk e di psenë, por ka disa ditë që më mundon fakti i risjelljes së kësaj thënie në mendoren time. Pra, unë dhe hëna gumëzhijmë natën, që malet bashkë me kujtimet t’i shikojmë. Ditën prapë të gjykojmë gumëzhitjen e natës. Ndoshta kjo gumëzhitje sjell kujtime. Këto kujtimet, pra sjellin dhimbje. Dhimbjet, sado i pamëshirshëm të jeshë gjithmonë prishin qetësinë. Shpesh mendoj, pse kujtimet prishin qetësinë dhe deri sa kohë do vazhdoj të kujtoj, të ëndërroj, të gjykoj të tjerët dhe të paragjykoj veten. Ahh, sikur të kem një informacion të këtij lloji se deri kur do shkoj. Do të isha i lumtur dhe me siguri do hyja në librin gines. Do hyja në librin ginës, jo si shëmtirë e kohës së hekurit, por si një arritje, si një mrekulli. Tash më lindi ideja. A ka libër gines për një shtëpi, për një lagje, për një katund, për një fis, apo për një komb? Unë do isha i kënaqur po të ishte ky lloj libri të paktën në këtë çast që po hedh këto rradhë kujtimi. Nëse do të kishte libër gines në fshatin tonë, në fisin tonë, në Malësin e Mirë dhe në tërë Shqipërinë do të renditen pa fundësisht emra, poezi, tregime, romane, njerëz, vepra që do të konkuronin me botën.

Kam dashtë të shënoj me kohë veten time në analet e poezisë së poetit Hamit Qerim Aliaj, të jem një prej golshënuesve më të spikatur të analizës së poezisë së tij. Mund të arrihet kjo? Thonë se çka e thotë Zoti dhe, kur e thotë Ai bëhet dhe jo kurrë më parë dhe jo kurrë më vonë. Liriku dhe epiku modern Hamit Aliaj tash e shumë mot ka zënë vend nderi dhe lavdie në librin shqip dhe në atë të përkthyer gjetkë. E në fakt nuk ka mbet gjë pa u  fol për këtë poezi, për këtë këngë e për këtë misionar të letrave shqipe. Ai letërsisë shqipe i ka ra pash më pash kryq e tërthor. Në këtë pronë të së vërtetës së tij ka bërë histori dhe  ka dhënë gjithçka nga vetja si: figurën metaforike, për legjëndën e sajuar dhe atë të trashëguar, për metodën, stilin, stilistikën, lojën me gjuhën e ëmbël shqipe në krijimtarinë e tij dhe për shumë ngjarje të tjera që letërsia Hamitjane i përfshin brenda vetes njëkohësisht.

Karakteri i njeriut, veçoritë dhe variacionet janë thelbi i krijmtarisë së tij. Lirika është marrëdhënia madhështore e vetkënaqur me poetin tonë. Ajo sjell kudo ngjarje që eklipson lexuesin dhe të duket vetja se po lexon një roman dashurie, apo po kalon një dramë që fatin nuk di ta lidhësh askund. Ai, pra fati i subjektit në veprën e tij fluturon si zogjtë shtegtar në fillim pranvere. Ngjarjet dhe fabulat që ne i themi shpesh gjetje janë burimi i frymëzimit jo vetëm tek poeti, por edhe tek ne që e lexojmë atë me etje. Shpeshherë ne dialogojmë, bashkëbisedojmë me shumë interes më veprën e këtij dirigjenti të vargut dhe të këtij arsyetuesi kryefortë të gjendjes së krijuar pas veprës. Në rrasën e mendimeve dhe shprehive tona mbetet të bisedohet edhe për nesër, … e … në vijim.

Gjithmonë lind një kujtim, lind një shkak dhe lind një ide që formëson një analizë teorike dhe materiale. Mendoj se prej këtu nuk do të lindin krijesa më të mira se sa çastet tona ku energjitë i kemi shkarkuar në të mirë të letërsisë dhe filozofisë. Ai në oratorin e tij kishte jo vetëm teorikën, por edhe veprimin praktikor. Pronësia mbi të vërtetën lind prej një punimi shkencor dhe të mbivendosur mbi akte zyrtare dhe krejt shkëncore. Disaherë më ka shkuar mendja se raportet e njerzëve janë subjektive. Ashtu sikur edhe një punim shkencor që bëhet për një përsonalitet, subjektivizmi është prezent. Por kam të drejtën time të them se gënjeshtra e fsheh të vërtetën, sikur edhe subjektivizmi të largon nga fakti. Nëse themi se mbiemri i Hamit Aiajt është “Bjeshka”, kur themi se “Në Dardani bien Tupanat”, nëse themi “Dikush krushqit na i ka ngri” apo “ Njëmijë vjet e mart” këtu flasim të vërtetën. Këto janë historia, lavdia, këto janë Hamit Aliaj. Ky njeri , ky apasionant i çështjes kombëtare i ndërtoi marrëdhëniet më një kontrat të pashkruar, objekti i kontratës ishte e vërteta, e vërteta e larmishme më faqe të ndezura prej dashurisë së një atdhetari. Gjendja e Hamitit rrodhi në etapën e kulturës dhe historisë. Këtu ai i zgjeroi kufijtë e njohjes dhe i derdhi këto njohuri në kohën e kulturës pa mbetur borxh ndaj historisë. Poeti i Malësisë dhe i tërë kombit notoi në djersën dhe gjakun e shpirtit. Ai shpirtëroren nuk e kapërceu kurrë, por e vendosi në tribunat e nderit duke e përftuar me një temperament tjetër, me një dualitet të të kundërtave.

Hamit Aliaj përpos imagjinatës që i shfaqej më bukur se shumëkujt, ai me të vërtetën krijonte një frymë të nxehtë, me nerva të tendosura, nga etja për dije që nuk pushonte së lexuari, për dije ai nuk ngopej, ai synonte të dinte arsyet e “psesë”, “kur”, dhe “kush”. Pyetje këto që sillen gjërësisht dhe gjithmonë në testin filozofik të të menduarit në harmoni me analizën. Kjo e zgjeronte fantazinë e tij në mbështetje të kërkesës së tij për dije dhe kultur.

Shumëherë e kam pyet veten se kush ishte doktrina e këtij poeti që ngjitej dhe vetëm ngjitej. Mendoj se doktrina e tij ishte qëllimi dhe atdheu. Unë e kam pyetur për këtë duke e shpjeguar dhe arsyetuar pyetjen, por ai kalonte në një bisedë tjetër që nuk kishte të bënte me unin e tij. Edhe pse unin e kishte tani të fituar dhe ky unë ishte poezia, ishte kënga, ishte hiti i krijimtarisë tij.

Dialektika e vargut të këtij poeti që për kah përmasat i kalon kufijtë e mëndimit të zakonshëm është të kuptuarit filozofik të ngjarjes së sajuar në subjektin e veprës që ai e ndërthurte më të vërtetën, me realitetin, me kohën në hapësirën e merituar, në marrëveshjen fillestare atë të lirikut dhe epikut modern. Në veprën e tij gjënë shprehi dhe dialekt të mirëfilltë që pasuron gjuhën dhe fjalorët e shprehive letrare. Këtu gjuhën e gjën këmbëkryq me arsenalin e larmisë së analizës saj shkëncore. Shprehjet fonetike që janë veçori dalluese për një dialekt në një gjini letrare, siç është poezia e poetit në fjalë gjënë mishërim dhe përputhshmëri me normën e gjuhës që ai i jep vlerë dhe pasuri prej krijimtarisë burimore në të shkruar. Hamit Aliaj nuk ka has në pengesa, siç i themi pengesa të njohurive shkëncore mbasi ai ishte një njohës i rrallë i tërë disiplinës shkëncore të gjuhës dhe letërsisë. Vetëm ekuilibri midis të vërtetave dhe lirizmit mund të na lejojë të përftojmë njëkohësisht emocion dhe qartësi. Çështja me të cilën po merrem sot nuk është një çështje që kapërcen në lumin e verës me një gur pa u lagur e pa sfoco fizike. Për të kapërcyer lumin e Hamitit (poezinë si analizë) duhet të kemi një projekt të mirë analizuar prej instituteve përkatëse dhe jo të heshtim para një gjenie krijuese. Institucionet mirëfilli e përkitazi me këtë fakt duhet të ndertojnë projekte që në dritën e kohës të analizohen vepra e  njerëz si Ky.

Rrethanat që krijimtaria e këtij poeti doli në dritën e konsumit të lexuesve ishte një rrethanë që kapërcente kohën. Këtë kohë që askushi nuk e konceptonte të kapërcyer. E kjo lidhte shumë duar, mendje që nuk e kishin veten të përgatitur të merreshin me gjetjen e këtij mendimtari. U deshtë Sabri Hamiti, Rexhep Qosja, Mehmet Elezi, Elez Byberi e të tjerë të hidhnin gacën në barut që Hamit Aliaj të kuptohet që kohën e ka lënë pas. Poeti në kapërcim kohe rrezikoi, por edhe fitoi. Fitoi tërë vendin e nderit. Në atë kohë njerëzit kanë menduar shumë se si një njeri mund të rriskoj aq shumë sa të duket që po ëndërron dhe gjumi po e kalon në mijëvjeçar si ëndrra. Atëherë u fol për ndarjen e natyrave. Shkenca e kohës e vlerësoi edhe pse jeta dukej paralele. Për një kohë sa një gjysëm shekulli letërsia e Hamitit i dha vlerë subjekteve dhe vetë jetës së shkruar. Ekzistenca e këtij personaliteti modest kaliti durimin e tij. Ai pati zikzaket e veta herë në heshtje e herë në demostrim. Uni i këtij poeti dallohet qartazi në cilëndo vepër. Këtë e ka cilësuar në poezinë e tij  “Motra”. /“Motra ime është me fat, s’ka parë kurrë të keqe në mua, Mos ia vini re nënës, e ka nga pleqëria, Mua askush s’më ka trazuar, kurrë, asnjëherë,…”/ Në këtë poezi ai bëhet lot në syrin e motrës. Një simbolik e goditur që vjen natyrshëm në kapërcim burimesh që vijnë si shpërthimet në mot. Poeti nxjerrë në pah këtë simbol në vargun e tij të fundit në këtë poezi ku thotë:  “/E vërteta është se motër s’kam patur asnjëherë!”/. Poezia “Motra” është simboli i çdo fjale dhe i çdo vargu. Ai tregon të vërtetën se nuk e kanë ndjekur kurrë. Se nuk ka gënjyer vetëm njëherë kur tha, se jam ngrit nga varri, aty në baladë lindi genjeshtra. Por nuk ka patur motra nevojë të vras për mua si Hajria në kalanë e Rozafës. Unë jam dashuruar me llo-lloj grash, siç është edhe poezia me lloj-lloj grimcash e grindjesh. Pasi ka arritë të kaloj nga koha në kohë në rrugë të pashkelura ai tregon se motra është me fat, sepse s’është bërë lot në syrin  e saj.  /Motra ime është me fat, s’jam bërë lot në syrin e saj,” /

Hamit Aliaj lindi në fshatin Kasaj të Malësisë së Mirë Tropojë në vitin 1954. Shkollën fillore dhe atë tetëvjeçare e kreu në fshatin Kasaj dhe Tropojë. Shkollën e mesme “Shejnaze Juka”e kreu në Shkodër. Punoj si mësues tetëvjeçarje në Vlabonë në vitin e stazhit. Mbaroj Universitetit për Gjuhë e Letërsi dhe punoj në fshatin Buçaj mësues i shkollës tetëvjeçare. Ai është ndër poetët më të njohur, por edhe autori i shumë këngëve. Mësues në Gjimnazin e Bajram Currit. Këshilltar i Jashtëm në Ministrinë e Kulturës Tiranë. Drejtor i Agjensisë Qëndrore të Librit Tiranë. Specialist në Komitetin Shtetëror për Kultet Tiran., Puna kërkimore, letraro-artistike e shkencore dhe libra me poezi. “Bjeshkët janë mbiemri im”. “E ruaj një fjalë për ty”, “Lotin nuk ta fal”, “Mungon viti Një”, “Njëqind vjet e Martë”.

Ali Ibër Nezaj (monografi), “E hëna e përtej botës”, “N’Dardani bjen një tupan”. Studime shkëncore-letrare, Epika legjendare shqiptare ( Arkivi i Fakultetit të Filologjisë), “Tri shenjtëri të mëdha” ( në hyrje të librit “Dervish Luzha një yll drite” ). Redaktor i mbi 30 librave artistike e studimore për kulturën e historinë. Skenare filmash dokumentare , “Ylbere mbi Alpe”, “Moj sharki e lehtë si era” ( kushtuar Dervish Shaqes), “Zambakët e munguar” ( kushtuar shkrimtarit Sulejman Krasniqi në 60-vjetorin e lindjes ) “Ylberi i Lirisë “( kushtuar çlirimit të Kosovës ), “Nga luftërat vijmë…” ( realizuar në Kosovë për RTSH ), “Pranverat që ndalen rrugës”, “Agu i Lirisë”  (realizuar në Kosovë me 17 shkurt 2008 ditën e shpalljes së Pavarësisë). Janë nga i njëjti autor edhe shumë dokumentarë të tjerë, të cilët gjenden në Arkivin e TVSH-së. Publicistikë , autor i mbi 200 shkrimeve kryesisht në zhanrinë e esesë, portretit letrar dhe reportazheve. Këto shkrime janë të botuara në periodikun e kohës. Këngë, autor i mbi 200 këngëve. Autor i të gjitha këngëve të Ansamblit Dardania në Festivalin e Gjirokastrës 1988 dhe në atë të Beratit 1995.

Çmime në konkurset kombëtare e ndërkombëtare : 1973 Çmimin e parë “Për poezi në konkursin e letrareve të shkollave të mesme të Republikës”, 1973 Çmimi i tretë “Për libër poetik në konkursin e 30- vjetorit të Ushtrisë” 1974 Çmim “Për libër poetik në konkursin e 40- vjetorit të Çlirimit”, 1977 Çmimi i parë “Në publicistikë në konkursin vjetor të gazetes ” Drita ” 1977 Çmimi i parë “Për dokumentarin e 20- vjetorit të Universitetit të Tiranës”, 1981 Çmimi i parë “Për dokumentarin ” Ylbere mbi Alpe ” ( me bashkautor S.Bucpapaj ), 1982 Çmim i dytë në Konkursin Kombetar të 70- vjetorit të Pavarësisë, “Për librin poetik ” E ruaj një fjalë për ty”, 1999 Çmim i parë në Festivalin e Gjirokastrës “Për tekstin e këngës ” Ani Rushe Rexha…”, 2000 Çmim i parë në Festivalin e Këngës Qytetare Tiranë, Për të njëjtin tekst. 17 dhjetor 2006 Çmim i parë i shoqëruar me ” Gold Coup ” ( Kupa e Artë ), “Për cikël me poezi në revistën ” Fatjon Art”, Detroid, SH.B.A 2017 : Libri “ E hëna e përtej botës” shpallet libri më i mirë poetik i vitit nga Klubi letrar “ Gjon Nikollë Kazazi” Gjakovë. Mirënjohje e tituj: 1983 dekoruar me medaljen ” Naim Frashëri” nga Kuvendi Popullor, 1988 ” Urdhëri i punës i klasit të 3-të” nga Kuvendi Popullor, 2002 titulli ” Krenaria e Qytetit” B.Curr, 2008 titulli ”Nder i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar”, 2012 titulli “Mirënjohje” nga Komuna Margegaj, Tropojë, 2014: titulli ”Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, 2019 titulli “ Qytetar Nderi” nga Bashkia Tropojë.

Në vlerësimin tim dhe jo subjektiv, mbasi kam dëgjuar, kam lexuar dhe kam shijuar poezinë e Hamitit se ajo është një poezi jo vetëm elitare, por një poezi e nivelit të lartë. Unë mendoj që poezia e tij është i një stili të veçantë. Fola më lart për të vërtetën dhe lirikën. E vërteta është e dallueshme nga poezitë e tjera të autorve më me emër. Këtij poeti në stilin, ndikimin dhe përshtatjen ,apo ngjashmërinë nuk i afrohet asnjë poet tjetër. Hamiti nuk ishte provincial, ai kishte lindur për metropolist, ndaje me të gjithfarë diskutimi, prej më primitivës deri tek ajo më e kohës. Stili poetik erdhi natyrshëm, siç vjen një lindje, siç vjen një martesë dhe siç vjen një vdekje, pra ishte krejt mister dhe e pashpjegueshme. Ai ishte vetja dhe s’donte t’i ngjante askujt. Burimi i tij krijues ishin bjeshkët, ishte historia,. Distancat mes krijuesve sillte tek ky krijues “kapriçon” poetike, duke nxjerrë në pah unin poetik. Qysh me librin e tij të parë “Bjeshkët janë mbiemri im” (1974), ai u soll me poezinë si me një kalë të zbutur.

Hamiti nuk bënte thjeshtë poezi. Ai pikturonte, ai muzikonte, ai dëfrente,  pra ai bënte art me vargun e tij në këngët e tij që i përkëdhelte me shumë dashuri, me shumë gjakftohtësi edhe dhimbje.

Poezia e Hamit Aliaj qysh nga titulli i librit “Njëqind vjet e Martë” duke analizuar në rrafshin e një të tëre me filozofinë mistike, Unë dua të them se ky poet në orën, sekondën e ardhjes së frymëzimit ka puqjen më të madhnueshmin dhe jetonte jashtë realitetit. Gjendja dhe qënia e këtij krijuesi lidhen me Hyjnoren, sepse edhe poezia, edhe hyjnorja janë prurja e përtej tokës. Realiteti është i shkrirë me shpirtëroren, lidh këtë materiale me botën pa formë të poezisë së këtij gjigandi të fjalës art. Ne nuk mund të tejkalojmë ndjesinë nëpërmes përfytyrimit, por duhet të shikojmë dhe të dëgjojmë vegimin brenda poezisë, brenda titullit “Njëqind vjet e Martë”. Hamiti ka pasuruar letërsinë, por ka sjellë dhe vendos piramidat e risisë poetike në artin tonë të shkruar.

Ai me strukturën e vargut në poezi nuk është vetëm një analist i saktë i fenomeneve, por kapërcen kohën me një rrisk që rrallëkush e ka virtyt dhe rrallëkush e pranon një sakrificë të tillë, por ai në artin e të shkruarit e dinte se ku del dhe nuk ndalonte. Në vargun e tij dëgjon shpirtin, zemrën, dëgjon frymëmarrjen, dihatjen e pafund të presionit të mendimit në imagjinatën e zanit që ne i themi vegim.  Unë kam patur fatin dhe rastin që të njihem me poezinë e Hamitit në dorëshkrim. M’i lexonte pa përtesë dhe m’i komentonte ato pa paragjykim. E kështu unë e kam kuptuar poezinë e tij, sikur të kisha qenë në mendjen e tij, kur e ka vendos lapsin në letër. Aq shumë e kam asimiluar poezinë e tij sa unë mendoj që të gjithë njerëzit e njohin vargun e tij, sikur edhe unë. Njëherë publikova një poezi të Hamitit në FB. Nuk ia dhashë autorsinë. Menjëherë më mori dhe më tha, shkruaja autorin. Pse?- iu ktheva unë me habi. Pse e njeh ti poezinë time nuk e njohin të tjerët dhe qeshi, sepse ai e kuptonte mendësinë time. Por nuk kaloi shumë kohë dhe njerëzit në faqen ku poezia u shfaq të gjithë flisnin për poezinë e tij, sepse ai tani ishte  brenda ndjesisë së lexuesit. Ja kaq shumë e kanë asimiluar hitin poetik të Hamit Aliaj.  Ai ndërtonte poezinë mbi një objekt që me shumë elegancë e kthente në subjekt shkrimi. Ja si na ndodhi njëherë. Po udhëtonim për në Kasaj. Ndaluam tek ura e Drinit në Kukës. Ishtë vjeshtë e dytë, zogjtë kishin filluar të lëshojnë folët. Ai pa një fole të braktisur dikund poshtë vendit që rrinim dhe pinim kafe. Në mes degëve të lisit dukej si një koshere mollësh. Lëvizte lisi prej erës vjeshtake dhe lëvizte edhe foleja si një djep i një fëmije para gjumit. Më bëj një foto dhe më kap folenë. Shkrije talentin tënd dhe qeshi me ironin e unit. Ja shkrepa një, dy, tre foto. Nuk i dolën të nivelit artistik. Një i afërm i imi erdhi ia nxori foton, sikur ai e donte. Aty për aty hodhi në celular një poezi me zogun e vjeshtës në folenë e braktisur.

Hamit Aliaj modernen në poezinë e tij nuk e ka marr nga ndonjë burim, apo ndikim prej ndonjë poeti që ka emër dikund në botën e përtej detit, ai modernen në poezinë e tij e ka marrë në kontakt me bashkëpuqjen me krijuesin e tij. Shprehja poetike, cilësia e saj komunikuese me lexuesin duke e asimiluar tërësisht poezinë e tij, konsumatori lexues e bën një poezi të nivelit botëror. Ai në poezi i drejtohet jo vetëm lumit të vendlindjes, bjeshkëve, dashurisë, nanës, historisë, zogjve dhe simbolikave të tjera që zënë vend në botën letrare të tij, por ato poezi u kthyen në mit e u kthyen në legjëndë. Po Hamit Aliaj tani çka është? Ai është fjala që s`vdes kurrë.

Atë natë, atë sekondë, atë fillim dite, kur u njoha me fluturimin e tij në honet e jetës tjetër ngjalli pikëllim. Pa pushim rrodhën me qindra komente, poezi, kritika, biografi, lëndë që nuk vdesin kurrë. Unë në brendinë time fola si i vetmuar, tani në Kasaj nuk ka më fjalë, nuk ka më varg, nuk ka më hit, do jetojmë me hitet poetike të këtij poeti që sjell freski, do merrem më këtë poet që nuk vdes, por ringrihet si prej hirit. Tani jeta nuk është në një stad të ndërthurjes së kohëve. Ajo vjen si renditje e seleksionuar e programuar dhe e vijushmërisë së karvanit në llojin tjetër. Të llojit që sjell lloje të reja dhe në do presim. Do presim, sepse kjo toka jonë në Kasaj ka bimësi që shpërthen në çdo pranverë. Çka është Hamit Aliaj tani? Hamit Aliaj është fjala që do mbështesim Kryet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu