Ka nisur tubimi i të gjithë serbëve në komunën e Graçanicës.
Dita e Vidovdanit shënohet nga serbët për çdo vit, për çdo 28 qershor.
Si gjithmonë, Vidovdani do të organizohet nga Kisha Ortodokse. Megjithatë, këtë vit në një tjetër lokacion.
Zakonisht, “Vidovdani” festohet në Gazimestan, dhjetë kilometra larg kryeqytetit, Prishtinës, por këtë vit do të mbahet në Graçanicë. Kjo me vendim të peshkopit, Teodosije Shibaliq.
Manifestimi ka nisur nga ora 7:00 e mëngjesit, dhe për këtë do të angazhohet Policia e Kosovës.
Qytetarë serb të ndryshëm nga vende nga Kosova por edhe vendet fqinje tashmë kanë nisur që të mblidhen për këtë festë.
4 autobusë me targa nga Beogradi tashmë kanë zbarkuar në Graçanicë.
Policia e Kosovës ka treguar se do të ndërpritet përkohësisht qarkullimi i automjeteve në hyrje-daljet e komunës së Graçanicës, konkretisht, në hyrje të fshatit Mramor dhe nga ana tjetër në hyrje të lagjes ”Veterrniku”, ku automjetet do të riorientohen në rrugë alternative deri në përfundim të festës së Vidovdanit.
Ndërkaq, një ditë më parë, qytetarët serbë u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë për të shënuar festën e Vidovdanit. Aty u prezantua një dokument i quajtur “Deklarata e Vidovdanit”.
Në deklaratë thuhet se komuniteti serb në Kosovë është “i ekspozuar ndaj dhunës”.
“Ka ardhur koha – “ose Asociacioni ose serbët do të dinë çfarë do të bëjnë”, u tha gjatë leximit të deklaratës.
Nga Beogradi, që nga java e kaluar është paralajmëruar miratimi i deklaratës së serbëve nga Kosova. Në ndërkohë, edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kishte konfirmuar se serbët do të ndërmarrin “hapa aktivë për Vidovdan, pa specifikuar se çfarë do të jenë, por me shënimin se “në Vidovdan mund të dihet gjithçka”.
Teksti i këtij dokumenti, që përmban pesë pika, ku në të fundit thuhet se “në Vidovdan shihet gjithçka”, është lexuar nga ish-kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq.
Kisha Ortodokse Serbe feston këtë datë në përkujtim të serbëve në betejën kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane në Kosovë, në vitin 1389.
Në Gazimestan, në këtë ditë të qershorit të vitit 1989, ishte fjalimi i ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq i cili u konsiderua si një paralajmërim i luftërave që do të vijonin me fillimin e viteve të 90-ta.
Në të njëjtën datë, disa vite më vonë, përkatësisht në vitin 2001, Millosheviqi u ekstradua në Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, për të cilat u akuzua.






