Shkruan Franci Nuri
Sot, Gjykata Evropiane e Drejtësisë dha një goditje të fortë ndaj një prej marrëveshjeve më të errëta dhe antikushtetuese të nënshkruara ndonjëherë në emër të Shqipërisë: marrëveshjes Rama–Meloni për ngritjen e qendrave të emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin.
Vendimi i sotëm i Strasburgut rrëzon mitin e “vendeve të sigurta të tretë” dhe vë në pikëpyetje një eksperiment politik mbi sovranitetin e një vendi si Shqipëria.
Në cilësinë time si përfaqësues ligjor i deputetëve të Partisë Demokratike, kam pasur nderin të përfaqësoj deputetët kërkues edhe para Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për këtë çështje m, një betejë të cilën Gjykata Kushtetuese nuk e mbajti dot mbi shpatulla: me vendim 5 me 4, ajo rrëzoi kërkesën tonë për shpalljen antikushtetuese të marrëveshjes Rama–Meloni në atë kohë, marrëveshje e cila cënon integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit tonë.
Po kështu, vetëm një ditë më parë, më 31 Korrik 2025, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë edhe kërkesën tonë për zonat e mbrojtura, të cilën pata nderin ta përfaqësoja në emër të deputetëve të Partisë Demokratike bashkë me deputeten Ina Zhupa dhe kolegun M. Logu.
Asgjë e re nga drejtësia “e tredhur” shqiptare. Asnjë reflektim, asnjë guxim institucional. Gjykatat tona heshtin, ndërsa qytetarët shqiptarë detyrohen t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për të kërkuar të drejtën që nuk ua jep shteti i tyre.