Gjoba dhe porosi për të hequr qafe gazetarë/ Plas lufta dhe “hapja e barkut” mes Ylli Ndoqit dhe Afriatik Doçit!

0

Ka plasur një luftë dhe “hapje barku” e paprecedentë mes medias së Ylli Ndroqit “Ora News” dhe gazetarit Adriatik Doçi, të cilin të parët e akuzojnë edhe se fshihet pas portalit “Prapaskena”.

Këtë të premte nëpërmjet një shkrimi plot akuza por edhe me disa hulumtime në portalin në fjalë të cilin e denoncojnë si gjobëvënës, “Ora News”, e kanë akuzuar gazetarin Doçi se po përdoret nga drejtuesi i KLSH Arben Shehu, nga i cili merr një pagë 1.5 milion lekë, për të goditur Ylli Ndroqin. Kujtojmë se “Ora News” pak ditë më parë realizoi disa kronika për këtë institucion, duke e quajtur “Han pa porta”.

Gjithashtu “Ora News” ka bërë një verifikim të thjeshtë në portalin “Prapaskena”, për të cilin thotë se posedohet nga gazetari Doçi, nga i cili rezulton se në të paktën 15 raste, shkrime “të forta” kundër biznesmenëve të shumtë apo të akuzuarve dhe të dënuarve për trafik droge, më pas janë fshirë pa asnjë sqarim nga kjo medie.

Shkrimi i “Ora News” nxjerr konkluzionin logjik, se çdo heqje artikulli nga portali në fjalë është një gjobë e majme e paguar. Këto akuza për gjobë-vënie nëse janë të vërteta, kanë karakter penal.

Pas kësaj gazetari Adriatik Doçi është kundërpërgjigjur në faqen e tij në FB. Ai nuk mohon se është pronar i “Prapaskena”, madje në një rast thotë se ka ndërhyrë që të hiqet prej tij një shkrim pasi ja kërkoi Ndroqi. Gjithsesi Doçi pasi shkruan se është një gazetar i varfër që posedon vetëm një motor dhe një biçikletë, bën akuza dhe denoncime të forta direkt ndaj Ylli Ndroqit. Edhe këto me karakter të theksuar penal!

Gazetari tregon për një takim me Ylli Ndroqin te ETC gjatë të ai në shkëmbim të pagesave ose të drogës, (edhe me dëshirë të pronarit të tij Ilir Meta), i kërkon që “të heqë qafe gazetarët Eli Laze dhe Elvi Fundo”. Gjithashtu teje e rëndë është kërkesa për të sulmuar dhe shantazhuar një gjyqtare të Gjykatës së Posaçme, apo përfshirja e Ndroqit në rrjetin ilegal të call centerave.

Edhe fotografitë që përdorin janë në funksion të akuzave ndaj njëri tjetrit. “Ora News” e paraqet Doçin si një zagar të KLSH-së, kurse ky i fundit e ka ilustruar presidentin e “Ora” si personazhin kryesorë të filmit “Narco” në Netflix.

Të dy shkrimet me denoncime dhe akuza të forta përbëjnë indicie për nisjen e një hetimi nga prokuroria; “Kryesisht”

Adriatik Doçi, zagari mediatik në KLSH, po leh për llogari të Arben Shehut

Nga Ora News

Gjoba dhe porosi për të hequr qafe gazetarë/ Plas lufta dhe

Adriatik Doçi, një pseudo-gazetar, se gazetar nuk po arrin të bëhet dot, duhet mëshiruar çdo ditë e më shumë, pasi duket se ka vendosur që të jetë një qesharak kronik me ato që shkruan dhe bën.

Tashmë të gjithë e dinë se ai përdoret për së prapthi nga kushdo që i hedh pak bukë, dhe së fundmi po keqpërdoret nga Arben Shehu i KLSH-së, i cili është dhe shefi i tij që e paguan me një pagë prej 1.5 mln lekë pa shkuar asnjë ditë në punë, dhe këto lekë janë tonat si taksapagues të këtij vendi.

Kontrolli i Lartë Shtetit dihet që ka shumë zagarë, e një ndër to është dhe Tiku, i cili është futur për të mbrojtur dhe “justifikuar” paaftësinë e shefit të tij, që thërret policinë sa herë i shfaqet ndonjë gazetar për t’i kërkuar llogari se pse ai nuk e zbaton ligjin që i ngarkon detyra, ku për miliona euro që konstaton si dëm ekonomik nga institucionet mjaftohet me rekomandime për të mos bërë më dëme në të ardhmen.

Dhe në fakt sërish këto fatura dëmesh ku askush nuk mban përgjegjësi ligjore, i mbeten sërish në kurriz qytetarëve shqiptarë. Por kjo është temë tjetër, dhe le të rikthehemi tek personazhi i mësipërm, fjala është për Adriatik Doçin.

Ky gjobaxhi që turpëron çdo ditë e më shumë kolegët e tij për faktin e vetëm se shitet si gazetar, është mësuar të vendosë gjoba ndaj bankave, politikanëve, dhe tashmë duket se ka dalë nga kontrolli minimal psiqik, duke guxuar të sulmojë media dhe pronarë të saj.

Ky qen-zagar po shanatazhon nëpërmjet portalit të tij dhe Presidentin e “Ora News”, Ylli Ndroqi, madje duke i treguar se mund t’i shkojë dhe në zyrë. Ky këlysh i Arben Shehut që prej vitesh është keqpërdorur si letër higjenike nga shefat e tij duhet të dijë se Ylli Ndroqi nuk është personi i duhur për t’i vendosur gjoba.

Mjafton të futeni në faqen e portalit që Doçi menaxhon e do shikoni qëndrimet e tij ndaj kronikave të caktuara. Në shumicën e lajmeve aty, ai sulmon, shpif dhe hedh akuza ndaj çdo personi që ai mendon se mund t’i vërë gjobë, apo ndaj çdo personi që ai paguhet.

Ja disa nga shkrimet që pasi i publikuar fillimisht, rezulton se i ka hequr, pasi ka marrë gjobën e caktuar, të paktën kështu thonë “burimet” pranë personit të tij:(Jepen të gjitha linqet ku shkrimet rezultojnë të hequr pas publikimit).

Nga ky hulumtim modest vetë vetiu lindin disa pyetje të cilat kanë nevojë për një shpjegim: Për llogari të kujt Adriatik Doçi shantazhon biznesmenët që kanë vite në treg?

Po bankat pse i shantazhon?

Për llogari të publikut, apo xhepit?

Dhe nëse do ishte fjala për një shërbim ndaj publikut, atëherë pse duhet t’i fshinte lajmet “eksluzive” që ai publikon?

Si i refuzova paratë e drogës së Ylli Ndroqit

Nga Adriatik Doçi

Gjoba dhe porosi për të hequr qafe gazetarë/ Plas lufta dhe

Kam 13 vite që punoj si gazetar. Sot pasuria ime është një motorr i vitit 2004 dhe një biçikletë 35 mijë lekë.

Kush më njeh, e di se pasuria ime më e madhe është fytyra dhe fjala. Presionin dhe shantazhin nuk e njoh. Vetëm argëtohem, sidomos kur subjekti shantazhues është ndonjë trafikant droge i kamufluar si biznesmen, figurë e krimit, politikan etj.

Sot më dërguan linkun e një artikulli mediokër të Ora Neës, ku unë isha objekt sulmi vulgar. Gazetarin/ren që e ka shkruar e mirëkuptoj plotësisht dhe e përshëndes!

I hodha një sy shkrimit dhe natyrshëm m’u kujtuan dialogjet në filmat ‘Narcos’. Urrejtje e sëmurë dhe dokrra hiri.

Ylli Ndroqi më ka telefonuar për herë të parë pasi kishte frikë se mos i publikoja ndonjë informacion rreth aktivitetit të tij në kartelin e call centerave. (Nuk ndahet nga kartelet).

E sigurova që të rrinte i qetë. Kam ndërhyrë për t’i hequr një shkrim tek portali që ka përmendur sot. (Nëse unë vendos gjoba, të tregojë si burrat nëse i kam kërkuar gjë dhe nëse ka dhënë gjë. Zero).

Në vijim më ka ftuar për kafe dhe jemi takuar tek ETC. Ishte i rrethuar me roje me syze dhe armë. M’u duk sikur po shkoja në ato takimet që zhvillohen mes anëtarëve të karteleve të drogës në Meksikë. (Si për ironi ka qenë edhe konsull nderi në Meksikë).

U trondita, kur shprehu dëshirën për të hequr qafet gazetarët Elvi Fundon dhe Eljo Lazen. Me sa kuptova, këtë dëshirë kriminale e kishte edhe Ilir Meta, padroni i tij.

E vërteta është se unë nuk kam respekt as për Elvi Fundon dhe as për Eljo Lazen. Zero. Madje, Elvi Fundo, një personazh i pabesë dhe i degraduar, më sulmoi kur unë kallëzova penalisht Arben Ahmetajn si pjesë e korrupsionit të inceneratorëve.

Por, jam kundër çdo akti dhune ndaj çdo qytetari, aq më tepër ndaj gazetarëve. Ia thash në sy qëndrimin tim të prerë kundër dhunës, por edhe pasojat që sjell.

Nuk vonoi shumë dhe doli në temë.

Më kërkoi të sulmoja gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme, Etleva Dedën, në shenjë hakmarrje pasi i kishte sekuestruar pasuritë e krijuara me paratë e trafikut të drogës. Më kërkoi të sulmoja familjarë të saj, anëtarë të SPAK-ut dhe disa personazhe, për të cilët do flas një herë tjetër.

Në këmbim, më ofroi një shumë të majme parash droge ose gjobash.

U deshën disa minuta që të konsolidoja përshtypjen se përballë kisha një matrapaz, shantazhues, intrigant, një personazh i verbuar nga urrejtja, një trafikant tipik që kërkon të përdorë gazetarët për interesat e tij korruptive, por edhe një frikacak, një lepur droge.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu