
Ditën e sotme në GJKKO do të mbahet seanca paraprake ndaj kryebashiakut të Tiranës Erion Veliajt, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe të dyshuarve të tjerë të dosjes.
Shkak për shtyrjen e seancës së kaluar u bë mungesa e Veliajt, i cili nuk ishte shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit drejt GJKKO si dhe mungesa e disa mbrojtësve ligjorë.
Trupa gjykuese do të vendosë nëse çështja kalon ose jo për gjykim. Më herët Gjykata e Posaçme i rrëzoi kërkesat e Erion Veliajt për t’i dhënë akses të njihet me dosjen në burg, si dhe që gjatë seancave gjyqësore të qëndrojë jashtë kafazit të qelqtë.
SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitiprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.
Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.
Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.
Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kurse Fatjon Baci është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste.






