Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, do të shkojë sot në SPAK për të dëshmuar lidhur dosjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë, ku pretendon se në të është i implikuar edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama.
Seanca do të nisë sot në orën 10:00. Ndërsa ishte planifikuar që Bardhi të paraqitej më datë 15 maj në SPAK, për të dëshmuar në lidhje me rastin e mësipërm, por u shty me kërkesë të vetë Bardhit për sot më 24 Maj, për shkak të një vizite zyrtare në Bundestag.
Rihapja e hetimeve
Bardhi do të merret në pyetje nga prokurorët e SPAK si person që ka dijeni për rrethana të hetimit.
SPAK rihapi dosjen e Xibrakës me kërkesë të Bardhit, duke regjistruar procedimin penal nr. 88, të vitit 2024, duke rifilluar hetimet e pezulluara në lidhje me procedimin penal nr. 335/1 (dojsa “Xibraka”), të vitit 2016 të regjistruar në ish-Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Renda, Tiranë.
Sipas denoncimit të Bardhit, një person i paidentifikuar, i moshës 45-vjec, rezulton të ketë përdorur automjetin me targa AA 653 DM. Sipas të dhënave të TIMS, Olsi Rama është përdorues i këtij automjeti, së bashku me tre drejtuesit e tjerë të organizatës kriminale.
Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër.
Sipas tij, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.
Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës. E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014.
Sipas Bardhit, prokuroria dhe gjykata shqiptare kanë pranuar se personat e dënuar nuk janë të vetmit persona që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, por një hetim për personat e paidentifikuar nuk është mbyllur ende përfundimisht.
Në mars të vitit 2016, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka ndarë më vete procedimin për bashkëpunëtorët e paidentifikuar, që sipas Bardhit ishte vetëm një i tillë, i diktuar nga shërbimet e vëzhgimit si drejtues i makinës së mësipërme dhe i përshkruar në dokumentet e prokurorisë si “45-vjeçar me flokë të shkurtra”.
Hetimi për grupin e përfshirë në laboratorin e prodhimit të kokainës në Xibrakë nisi në dhjetor 2014, pas informacioneve të mbërritura në Shqipëri nga autoritetet gjermane. Në janar 2015, Prokuroria e Krimeve të Rënda vuri nën akuzë 9 persona për trafikim të lëndëve narkotike dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.
Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzoi Genci Xhixën si drejtues të grupit kriminal të përfshirë në laboratorin e kokainës, por ai nuk u arrestua asnjëherë nga policia. Anëtarët e grupit u dënuan me 104 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por dënimet u lehtësuan në Apel dhe disa prej tyre, si në rastin e Ermal Hoxhës dolën më herët nga burgu për “sjellje të mirë”.
Në lidhje me akuzat ndaj Olsi Ramës, Gazment Bardhi kërkoi interpelancë në Kuvend me kryeministrin Edi Rama, por ky i fundit e refuzoi, madje socialistët me në krye kryeparlamentaren Lindita Nikolla rrëzuan kërkesën që në Këshillin e Mandateve.