Gabriel Escobar raporton sot para Shtëpisë së Bardhë për Kosovën: Asociacioni kusht i padiskutueshëm

0

I dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të raportojë sot para Shtëpisë së Bardhë procesin e përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës.

Për këtë pikë, ai ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të lëvizin, meqë nga përgjigjet e marra dhe raportimi i së premtes në Shtëpinë e Bardhë, Escobar tha se do të pasojnë vendime.

“Pas kësaj vizite, ne do të pyetemi nga Shtëpia e Bardhë, të premten, për t’ua dhënë një përditësim mbi atë që po ndodh. Dhe unë duhet të raportoj nëse ka ndonjë progres apo jo. Miroslav Lajçak duhet të raportojë te Josep Borrell, rreth situatës. Nuk është një afat, por një hap tjetër për mua dhe në bazë të raportit tim do të marrim disa vendime dhe do të ecim përpara”, ka deklaruar ai.

Më tej, i dërguar i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor ka thënë se situata në veri të Kosovës duhet të ç’tensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në muajin korrik për zgjedhje të reja.

Ai përsëriti se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “kërkesë ligjore” për Qeverinë e Kosovës dhe se “nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, ajo duhet ta formojë Asociacionin”. “Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë Qeveri apo me qeverinë e ardhshme”, tha Escobar.

Ndërkohë dje Kryeministri i Kosovës u ankua për njëanshmëri ndaj vendit të tij nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe tolerancë ndaj atij që ai e quajti regjimi autoritar i Serbisë.

Në një intervistë për Associated Press, Kurti tha se kabineti i tij ka një mendim tjetër.

“Ne këmbëngulim se që të sillesh mirë me një autokrat nuk e bën atë të sillet më mirë. Përkundrazi”, tha kryeministri i Kosovës.

Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, përkatësisht Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak “vijnë tek ne me kërkesa, me kërkesat e palës tjetër”, tha Kurti në një intervistën për Associated Press.

AP kujton se së fundmi “serbët etnikë u përleshën me policinë e Kosovës dhe më pas me forcën paqeruajtëse të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, duke lënë 30 ushtarë dhe mbi 50 serbë të plagosur dhe duke provokuar frikën e rinovimit të konflikteve të përgjakshme në rajon”.

“Fuqitë perëndimore nuk duhet të kënaqin Beogradin, problemin rrënjësor të dhunës në Ballkanin Perëndimor”, thotë Kurti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu