Këshillin Bashkiak të Tiranës do të mblidhet ditën e sotme (23 Shtator) për të propozuar shkarkimin e kryebashkiakut socialist Erion Veliaj, i cili prej datës 10 Shkurt ndodhet në paraburgim.
Porosia për shkarkimin e Erion Veliaj nga detyra u dha nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS-së (11 Shtator) ku shpalli kandidaturën e Ogerta Manastirliut për kreun e Bashkisë Tiranë.
Pas Asamblesë, këshilltarët bashkiakë të PS-së u mblodhën në selinë e partisë më 17 Shtator, për të shqyrtuar porosinë e kryeministrit Rama për Veliajn.
Gjatë takimit, këshilltarët socialistë morën vendimin për t’i paraqitur Këshillit bashkiak në mbledhjen e ditës së sotme 23 shtator kërkesën për shkarkimin e Erion Veliajt, dhe nisjen e procesit për zgjedhje të jashtëzakonshme për bashkinë e kryeqytetit.
Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, këshilltarët e PS do të përdorin si argument mungesën e tij në detyrë për tre muaj.
Këshilltarët theksuan se kjo iniciativë nuk është pranim i akuzave ndaj Veliajt, por një domosdoshmëri ligjore dhe morale për t’i dhënë qytetit një drejtim të qëndrueshëm dhe efektiv. Nëse miratohet, kjo kërkesë do t’i dërgohet Këshillit të Ministrave për vendim final.
Erion Veliaj ka kërkuar të jetë i pranishëm për një proces të rregullt ligjor. Në një letër drejtuar kryetares dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Veliaj shprehet se mungesa e tij në detyrë nuk është vullnetare.
Por, Këshilli Bashkiak i ka kthyer përgjigje kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke u shprehur se: “Në rast pamundësie për të qenë prezent, ju lutem që observacionet tuaja t’i përcillni me shkrim pranë Këshillit Bashkiak”.