Shkruan Albert Vataj
Një hemoragji pulmonare e përsëritur i ndal frymën më 9 shkurt 1881 në moshën 59-vjeçare penës më të fuqishme ruse, Fjodor Dostojevskit. Ishte shuar kështu një diell i fuqishëm i profetit të letërsisë, kishte ndalur së rrahuri ajo zemër që vazhdon të gjëmojë e fuqishme në kraharorin e personazheve dhe përtëritjet e rrëfeve që ai mëkoi me atë forcë që dinte vetëm një zë si ai, një zemër si e tija, që kishte shpërther nga guvat e serta të ferrit për të treguar, denoncuar dhe shpjeguar purgatorin e mundimshëm të njeriut, asaj krijese të drobitur nga fati dhe ndëshkuar nga mëkati.
Jo vetëm Rusia, atdheu i tij, por bota, krejt ata që besojnë në art si në një fe të përbotshme, përulen me ngashërim para kësaj përmendoreje që prek në qiell, para emrit dhe veprës së gjeniut që e ëndi me vujtje dhe paepje galerinë e kumtit të tij artistik. Fjodor Dostojevski Fjodor Dostojevski ka lindur më 11 nëntor 1821, Moskë. Ka nga ata që besojnë se arti i mrekullueshëm është rrjedhojë e vuajtjes së thellë. Jeta e autorit rus Fjodor Dostojevski, ndër figurat më të shquara të literaturës botërore, ishte dëshmi e kësaj lloj vuajtjeje.
Fjodor Mihajlloviç Dostojevski jetoi e krijoi në Rusi në shekullin XIX, kur si Perëndimi ashtu si edhe Lindja u përfshinë në valën e madhe të trazirave, të cilat sollën ndryshime të thella. Në këtë kohë kapitalizmi po bënte hapat e veta të para e të sigurta në Rusi, por që akoma pengohej nga regjimi autokratik carist. I lindur më 30 tetor të vitit 1821, në një mjedis despotik që mbretëronte në familje, si edhe në sfondin e zymtë të Rusisë bujkrobe, djaloshi shumë shpejt do të ndeshej me kuptimin praktik të dhunës. E ëma, Masha, grua tepër e dashur, e dhembshur, e gjallë dhe me kulturë do të torturohej tërë jetën e saj të shkurtër nga xhelozia e pafre e të shoqit, nga akuzat e tij të pabaza për tradhti bashkëshortore. Njeri jashtë mase i ndjeshëm, i ndrojtur e i mbyllur në vetvete, Dostojevski trashëgoi nga e ëma zgjuarsinë natyrale, etjen e pashuar për lexim dhe aftësinë e rrallë për të analizuar ngjarje dhe fakte. Gjendja e rëndë që përjetonte populli rus në qytet dhe në fshat e shqetësonte pa masë shkrimtarin e madh, i cili kishte aq shumë besim në virtytet e larta njerëzore. Dostojevski ishte kundër dhunës dhe terrorit; kjo bindje përshkon tërë veprat e tij si dhe marrëdhëniet private e shoqërore.
Shkrimtari gjenial gjithë jetën e vet qe i prirur pas së resë, të cilën e stimulonte me të gjitha mënyrat. Kjo qe arsyeja që në moshën e rinisë të afrohet me grupin e famshëm të Petrashevskit, ndonëse nuk pajtohet me idenë e tij të përdorimit të dhunës. Zbulimi i grupit nga autoritetet cariste e vë shkrimtarin para sprovës më të rëndë në jetën e tij, të cilën e përballon me dinjitet. Asgjë nuk mundi ta thyente këtë idealist fisnik, madje, as maskarada e shëmtuar e organizuar nga vetë Cari, i cili, për të poshtëruar grupin provokoi “ekzekutimin farsë publik të kriminelëve më të rrezikshëm të shtetit”, në mesin e të cilëve bënte pjesë edhe Dostojevski. I dënuar përfundimisht me punë të detyruar në “ferrin njerëzor”, siç quhej atëherë Siberia, pas disa vitesh, me forcën e vet danteske ai do të përsëriste llahtarën e përjetuar në burgun e tmerrshëm carist, por tashmë nëpërmjet veprës së tij monumentale “Shtëpia e të vdekurve”. Me një aftësi të jashtëzakonshme profesionale, vite me radhë në kushtet e një censure satanike, ai do të drejtonte dy nga organet më në zë në Rusi, në fillim revistën “Koha” dhe më pas atë, “Epoka”, ku do të botonte edhe mjaft nga veprat e tij. Me kalimin e viteve fiziku i dobët, peripecitë e rënda, fatkeqësitë e shumta, që e shoqëruan gjatë gjithë jetës, ia dobësuan shëndetin, duke i shkaktuar sëmundjen e rëndë të tuberkulozit, e cila në moshën 60-vjeçare do t’i shkaktonte vdekjen.
Tiparet themelore të këtij biri të madh të popullit rus mbetën: dashuria e thellë dhe e pamatë për popullin e tij, të cilin donte ta shihte të lirë e të lumtur si edhe dashuria për jetën. Afër pleqërisë ai do të shkruante: “Unë e dua nxehtësisht jetën, e dua për ta jetuar atë… Së shpejti mbush pesëdhjetë vjet, por në asnjë mënyrë nuk mundem ta kuptoj, nëse po e përfundoj, apo sapo e kam filluar. Ja tipari kryesor i karakterit tim, ndofta, edhe i veprimtarisë sime”. Vepra e parë madhore e shkrimarit që vulosi gjenialitetin e tij qe “Njerëz të varfër”, i pari roman social rus, që na jep një tablo të qartë e tronditëse të jetës së rëndë e pa rrugëdalje të shtresave më të ulta të Petërburgut, ku sundojnë shfrytëzimi i egër, varfëria e tejskajshme, makutëria dhe të gjitha veset e tjera antinjerëzore. Në vitin 1861 botën letrare të Petërburgut e tronditi dalja e romanit tjetër të madh të Dostojevskit, “Të fyer e të poshtëruar”, të cilin Dobroljubovi e quajti “ngjarja më e madhe letrare e vitit në Rusi”. Në krijimet e famshme të shkrimtarit hyn romani “Krim e ndëshkim”, ku për herë të parë në letërsinë ruse analizohet tema e kapitalit, çështja e parave me tërë rrethanat karakteristike të Petërburgut. Ky qe një rikthim në romanin social dhe u ndërtua si një monolog i brendshëm i heroit. Por vepra më lirike e këtij gjeniu do të ishte romani i mekullueshëm “Idioti”, që do të plotësonte akoma më mirë biografinë krijuese të Dostojevskit si shkrimtar dhe psikolog i rangut më të lartë. Në romanin “Djajtë” shkrimtari përpiqet të na japë Rusinë e përfshirë nga veprimet terroriste të përkrahësve të kryeterroristit botëror Bakunin, të cilët me anën e dhunës përpiqeshin të realizonin triumfin e ideve socialiste. Këtu Dostojevski synon të demaskojë idetë dhe dhunën e propaganduar e të zbatuar prej tyre në Rusi e jashtë saj. Por vepra kulmore e gjeniut rus mbetet “Vëllezërit Karamazov”. Në të janë mishëruar përpjekjet e pareshtura të ballafaqimeve politike dhe shtypja e egër që sundonte në Rus. Në roman figurat shtjellohen me tërë kompleksitetin e tyre. Tipari dallues i veprës është tensioni i lartë qe e përshkon atë, ku me përshkrimin e skajshëm të ngjarjeve e të personazheve, gjithçka jepet në kufijtë ekstremë. Në trashëgiminë e shquar të këtij krijuesi botëror hyjnë edhe romanet “Net të bardha”, “Kumarxhiu dhe “I mituri”. Por me vlerë të jashtëzakonshme janë edhe mjaft krijime “të vogla”: novelat “E urta”, “Ëndrra e xhaxhait” si dhe shkrime me vlerë të madhe publicistike.
Nga jeta e gjeniut
Fjodor Mihajlloviç Dostojevski, i dyti i shtatë fëmijëve, lind ne Moskë nga Michail Andrevič, një mjek me origjine lituane e me një karakter ekstravagant dhe despotik që e rrit të birin në një klimë autoritare. E ëma, Marija Fjodorovna Necaeva, vjen nga një familje tregtarësh. Karakteri i saj është i qeshur dhe i thjeshtë, i pelqen muzika dhe është shumë besimtare. Do të jetë ajo që do t’i mësojë të birit të lexojë duke bërë që të njohë Aleksandr Puškin, Vasilij Žukovskij dhe Biblën. Në 1828 babai, Michail Andreviç, shënohet me të bijtë në librin e artë të familjeve fisnike të Moskës.
Në 1831 Fëdor shpërngulet me familjen në Darovoe në provincën e Tulës ku babai ka blerë një tokë dhe në 1834, bashkë me të vellain Michail, hyn në konviktin privat të L.I.Çermak në Moskë. Në 1837 e ëma, prej kohësh e sëmurë me tuberkuloz, vdes dhe djali, bashkë me të vellanë, rregjistrohet në konviktin përgatitor të kapitenit Kostomarov, në pritje të provimit të pranimit në Institutin e Inxhinierisë. Me 16 janar 1838 hyn në Gjimnazin e Xhenios Ushtarake të Pjetërburgut, ku studion inxhinieri ushtarake,por duke e frekuentuar pa deshirë, meqë interesat e tij janë të orientuara drejt letërsisë.
Më 8 qershor 1838 babai, që i ishte dhënë pijes dhe keqtrajtonte fshatarët e tij, vritet me shumë mundësi nga ata vetë. Kur merr lajmin e vdekjes të babait, Fëdorit i vjen ataku i parë i epilepsisë, sëmundje që do ta ketë për të gjithë jetën. Në gushtin e 1841 pranohet në kursin për oficer dhe vitin më pas nëntenent. Veren e mëpasme hyn në shërbim efektiv në komandën e inxhinierisë të Pjetërburgut.
Ka nga ata që besojnë se arti i mrekullueshëm është rrjedhojë e vuajtjes së thellë. Jeta e autorit rus Fjodor Dostojevski, ndër figurat më të shquara të literaturës, ishte dëshmi e kësaj lloj vuajtje. Në moshën 15 vjeçare nëna i vdes nga tuberkulosi; dy vjet më pas vdes gjithashtu edhe i jati, një alkoholist i dhunshëm, ku besohet se u vra nga shërbëtorët e tij.
Në vitin 1849, Dostojevski dhe kolegët e tij në rrethin radikal politiko-letrar Petrashevski, arrestohen dhe burgosen. Më pas dënohen me vdekje në 16 nëntor 1849. I gjithë grupi u detyrua, që të qëndronte në të ftohtin e acartë në pritje të skuadrës së pushkatimit. Në minutin e fundit, vendimi u anullua. Vetëm pas 10 vjet burgimi politik në Siberi kthehet në Shën Peterburg.
Fjodor Dostojevski është autori rus i shekullit të 19të që ka shkruar novelat klasike si Krim dhe ndëshkim (1866) dhe Vëllezërit Karamazov (1880). Dostojevski iu kthye jetes së shkrimtarit si profesion pas një karriere të shkurtër ushtarake, ku në vitin 1846 publikoi novelën e tij të parë “Njerëz të varfër”.
Novelat e tij ekspoloronin detyrimet psikologjike dhe mrale të njeriut modern. Ai u bë i famshëm për krijimin e “heroit të rrugës,” një protagonist i mohuar nga shoqëria dhe në kërkim të shpengimit.
Librat e tij janë përkthyer në më shumë se 170 gjuhë. Dostojevski u ndikuar nga një shumëllojshmëri të pabesueshme të filozofëve dhe autorët, duke përfshirë Pushkin, Gogol, Shekspirin, Dickens, Balzac, Lermontov, Hugo, Poe, Platoni, Cervantes, Herzen, Kant, Belinsky, Hegelin, Schiller, Solovyov, Bakunin, Sand, Hoffmann, dhe Mickiewicz . Krijimtaria që la është lexuar gjerësisht si brenda dhe jashtë vendlindjen e tij, Rusi dhe pati ndikim tek një numër po aq i madh shkrimtarësh dhe filozofët të mëvonë, duke përfshirë rusët, si Aleksandr Solzhenitsyn dhe Anton Chekhov, si dhe Friedrich Nietzsche, Ernest Hemingway, Ayn Rand, Sigmund Freud, dhe Jean-Paul Sartre .