Mediat serbe e kanë cilësuar si ‘fitore’ të presidentit serb në Tiranë deklaratën e tij.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç pas përfundimit të samitit për Ukrainën në Tiranë ka dhënë një prononcim për mediat gjatë kohës që ka qenë duke u larguar.
Vuçiç tha se propozimet e tij për të hequr dorë nga propozimet për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe ndikimit malinj të Rusisë u pranuan.
“Ata ranë dakord të heqin pjesën për sanksionet dhe ndikimin malinj të Rusisë dhe të heqin ndërtimin e “shtetit tonë” dhe “vendit tonë”. Jemi informuar se është pranuar. Nuk ka sanksione, nuk flitet për sanksione, nuk përmendet ndikimi malinj i Rusisë”, tha Vuçiç.
Vuçiç shtoi se nuk është e lehtë për Ukrainën dhe se e kupton pozicionin në të cilin ndodhet ai vend. Presidenti serb tha më tej se shpreson se do të vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie të mira me Ukrainën.
Ukraina është mike e Serbisë, tha Vuçiç teksa shtoi se më e rëndësishmja, nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, Serbia i përmbahet deklaratave parlamentare dhe qëndrimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Mos harroni pse është e rëndësishme, përveç faktit që këta janë miqtë tanë sllavë, duhet të keni parasysh që Ukraina nuk e ka njohur askund Kosovën, thashë në prezantimin tim që Ukraina është një nga vendet e pakta që mund të flasë. për integritetin territorial, sepse ajo nuk e ka shkelur integritetin territorial të dikujt tjetër, si shumica e të tjerëve dhe sot u ka mbushur goja me të”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë para kamerave të Reuters se avokon për ruajtjen e integritetit territorial. Pastaj pyesni veten nëse është e mundur të ekzistojë një lloj i tillë i paprecedentë dyfytyrësie dhe hipokrizie.
Ai theksoi se është shumë e rëndësishme të kemi marrëdhënie të mira me Ukrainën. Vuçiç tha se Serbia, si edhe më parë, do të vazhdojë të ofrojë, brenda mundësive të saj, ndihma humanitare për popullatën vulnerabël të Ukrainës.
Ai shtoi gjithashtu se Serbia do të mbetet e përkushtuar në respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar. Vuçiç nuk ka dashur t’u zbulojë gazetarëve se kush ka insistuar që kërkesa për vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse të përfshihet në tekstin e deklaratës, duke thënë vetëm “më të fuqishmit”.
Ai ka theksuar se ka biseduar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, me të cilin do të ketë edhe një takim dypalësh.
“Ne e bëjmë politikën tonë dhe unë jam krenar për këtë, ata panë se si të gjithë e dëgjuan atë që thashë”, tha Vuçiç.
Ai tha se ka dëgjuar kur Zelensky ka kërkuar një samit të Ukrainës dhe Ballkanit Perëndimor, por në atë rast Serbia duhet të krijojë një platformë për atë samit, atë që i përshtatet vendit tonë.
Pse Ukraina nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës?
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës bëri që shumica e vendeve të Evropës e botës t’i dalin në krah shtetit ukraianas. Në mesin e këtyre vendeve është edhe Kosova, edhe pse Ukraina nuk e njeh atë si shtet të pavarur.
Ky qëndrim i Kievit zyrtar nuk pritet te ndryshojë nëse i referohemi deklarimeve të ambasadorit të Ukrainës në Beograd, i cili pavarësisht situatës me Rusinë dhe faktit që Serbia si agresore në luftën e Kosovës 20 vite më parë, është aleatja e Moskës.
Megjithatë, Kosova u solidarizua me popullin ukrainas pasi i takon pjesës demokratike të botës dhe është në anën humane si shumica e vendeve që mbeshtetën edhe Kosovën kur ishte nën sulmet e shtetit serb gjatë viteve 97-99.
Kosovarët e arritën pavarësinë më 2008 me mbështetjen ndërkombëtare, por këtë status nuk e njeh Ukraina, ashtu siç nuk e njeh as sulmuesi i saj, Rusia dhe aleatja e saj, Serbia.
Drejtuesit e Rusisë shpeshherë rastin e Kosovës e kanë përdorur si shembull që edhe dy rajonet ruse që ndodhen brenda territorit të Ukrainës meritojnë pavarësi, gjë që iu njoh ditë më parë nga Rusia.
Kjo është edhe një nga arsyet pse Ukraina vazhdon të ketë qëndrim kundër pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu fakti që Kievi dhe Moska kanë hyrë në luftë për shkak të një territori, e bën rastin të dallueshem me rastin e Kosovës.
Kosova luftoi per territorin dhe të drejtat e saj pa ndihmën e një shteti tjetër, duke qenë e njohur si pjesë e një shteti që dikur njihej si Jugosllavi.
Megjithatë, si pasojë e luftës, masakrave e krimeve që ndodhën në Kosovë, ajo mori mbështetjen e botës demokratike, që nxiti edhe bombardimet e NATO-s kundër Serbisë.