Festa e Flamurit të “Shqiponjave” në Reggio Emilia

0
Shkruan Ndue Lazri
Është si gjithnjë ai ambient i ngrohtë që jemi mësuar të gjejmë në Shoqatën “Shqiponja” të Reggio Emilias, themeluar e drejtuar nga sipërmarrësi i suksesshëm shqiptar, Klodian Cami. Ndërsa hyjmë në sallë bashkë me Mozën dhe miqtë tanë Xhemal e Lutfie Hyzoti, me të cilët kemi ardhur që nga Trentino, aktivistët e palodhur të shoqatës, Sugarja, Arieta, Niku e Gjovalini janë duke bërë zbukurimet e fundit.
Sapo janë kthyer nga puna dhe duan që ambienti i festës të jetë sa më i hijshëm. Ngado janë shpalosur fjamuj shqiptarë e italianë dhe ngjyrat kuqezi dominojnë. Në sfond orkestra e Sony Modena bën ndonjë provë teknike që çdo gjë të jetë gati për fillimin e mbrëmjes festive.
Salla mbushet dalëngadalë. Prindër që kanë mbyllur një javë pune, fëmijë të veshur me ngjyrat kuqezi, me flamuj e tollumbace në duar, artistë, shkrimtarë e poetë, mysafirë që kanë ardhur edhe nga zona të tjera si Milano, Trentino, Treviso, Parma etj. Anëtarët e ekipit të futbollit “Shqiponja”, të rinj energjikë e gazmorë, që kanë arritur suksese në kampionatin në vazhdim, janë gjtihnjë të pranishëm në aktivitetet e shoqatës, ashtu si anëtarët e shoqatës e ndjekin dhe inkurajojnë ekipin në ndeshjet e tij Kanë ardhur edhe drejtues e anëtarë të shoqatës së emigrantëve kosovarë “Zëri i Atdheut” etj. Zëmë vend në një tavolinë bashkë me imprenditorin shqiptar në Trentino Gentian Shero, që ka ardhur me familjen e tij dhe kushëririn nga Treviso, si dhe me shkrimtarin Robert Shkurti.
Për ca momente bisedojmë edhe me njërin nga themeluesit e aktivistët e përhershëm të shoqatës “Shqiponja”, Elez Rexha, i cili ka ardhur që nga Londra për të marrë pjesë në festë. Nuk mungon kurrë në eventet e shoqatës për të cilën ka punuar kaq vite. Po kështu, patëm kënaqësi të bisedonim edhe me imprenditorin shqiptar të ardhur nga Milano, Eduard Ndocaj e familjen e tij.
Presidenti i shoqatës, Klodian Cami, hyn në sallë bashkë me senatoren e Senatit Italian Erica Mazzetti, deputeten e parlamentit italian dhe koordinatore e Forza Italia, Rosaria Tassinari si dhe aktivistë e eksponentë të PD.
Dhe mbrëmja fillon. Ekzekutohen himnet kombëtare të Shqipërisë e Italisë. Senatorja italiane, Erica Mazzetti, duke përshëndetur të pranishmit, foli për rëndësinë e integrimit të shëndoshë të emigrantëve si një forcë e madhe e aktive në jetën ekonomike e shoqërore të Italisë dhe përgëzoi shembullin e mirë të shoqatës “Shqiponja” në këtë drejtim. -Ne jemi pranë jush,-tha ajo,-dhe kur të keni nevojë mjafton të na thërrisni.
Edhe parlamentarja Rosaria Tassinari, e cila mbulon rajonin e Emilia Romagnas, u ndal pikërisht në bashkepunimin në këtë fushë, ku emigrantët shqiptarë të këtij rajoni kanë ndihmuar edhe në momentet e vështira që kaloi kjo zonë gjatë përmbytjeve.
Mjaftuan notat e para të këngëve patriotike shqiptare e kosovare dhe zëri i këngëtarit të shquar Arif Vladi, që atmosfera në sallë të ndizej dhe hareja e valles të përfshinte të mëdhenj e të vegjël. Legjenda e këngës dibrane dhe shqiptare, Arif Vladi, edhe pse vitet kalojnë, e ka ruajtur zërin dhe forcën interpretuese në skenë. Edhe me lëvizjet e tij, ai di ta evidentojë emocionin dhe mesazhin që përcjell fjala e fuqishme në këngët që interpreton.
Pjesëmarrësit në festë i afrohen, bëjnë foto me të. Një vogëlushe i dhuron një tufë me lule, që është më e madhe se ajo vetë në këmbë. I shquar si në ingterpretimin e këngëve epike që evokojnë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare që nga Shpallja e Pavarësisë sonë kombëtare e deri tek çlirimi i Kosovës, si dhe të këngëve lirike, ai di të krijojë atmosferë e ta ngrejë publikun në këmbë.
Bashkë me këngëtaren Eglantina Toska, një e re me diapazon të gjerë të interpretimit të këngëve popullore të krahinave të ndryshme, ditën t’i japin mbrëmjes një bukuri e gjallëri të veçantë deri në orët e vona.
Në një moment patëm kënaqësinë ta kishim Arifin në tavolinën tonë dhe biseduam edhe për mundësinë e një koncerti në zonën e Trentinos, gjë të cilën ai e priti me shumë kënaqësi.
Kjo mbrëmje në folenë e Shqiponjës iu shtua aktiviteteve të bukura atdhetare që di të organizojë kjo shoqatë, duke tërhequr pranë vetes sa më shumë anëtarë të komunitetit shqiptar në Reggio Emilia.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu