Indrit Doda do të drejtojë Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Burgje. Emri i tij u firmos nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Doda është një oficer me karrierë të gjatë dhe të vlerësuar në radhët e Policisë së Shtetit.
Më herët ai ka mbajtur edhe postin e Koordinatorit në Drejtorinë e Antiterrorit në Policinë e Shtetit.
Doda ka qenë pjesë edhe e disa operacioneve në Siri për riatdhesimin e shqiptarëve të bllokuar në kampet në Lindjen e Mesme, për të cilat është dekoruar me medalje trimërie.
Në atë periudhë, Indrit Doda mbante detyrën e shefit të operacioneve speciale.
Ai është diplomuar në Akademinë e FBI-së në Quantico, Virxhinia, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe është njohës i disa gjuhëve të huaja.