Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se në zyrën e saj kanë mbërritur dy ekspertë të huaj të njohur në industrinë detare.
Balluku mirëpriti Patrick Noren dhe Brianna Johann, përfaqësues të revistës prestigjioze “Marina World”, me të cilët ndau vizionin e qeverisë shqiptare për zhvillimin e sektorit detar dhe turizmit bregdetar.
“Përmes krijimit të një rrjeti marinash të ndërlidhura, po hapim një kapitull të ri që do ta pozicionojë Shqipërinë si një destinacion të ri dhe frymëzues në hartën e turizmit detar,” – shkruan Balluku.
Sipas saj, bashkëpunimi me ekspertët ndërkombëtarë synon modernizimin e porteve turistike, nxitjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e infrastrukturës bregdetare në përputhje me standardet evropiane.
Takimi me përfaqësuesit e “Marina World” shihet si një hap strategjik për promovimin e Shqipërisë si destinacion detar ndërkombëtar, duke u mbështetur në potencialin e gjatë të bregdetit shqiptar dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.








