Edi Rama nga sovranist anti-amerikan deklaron se sovranizmi përballë SHBA nuk ka vlerë, ndryshim 180 gradë pas ultimatumit të Escobar dhe çështjes penale “McGonigal” që po zien në Uashington

0

Shjruan Elmas Bogdani

Marrëdhëniet e kryeministrit Rama me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tregojnë se janë marrëdhënie interesi dhe jo marrëdhënie parimore dhe vlerash. Rama ka përzgjedhur një sjellje servile dhe klienteliste me SHBA, ndërsa axhenda e tij e vërtetë është sistemi i “Erdoganit” në Shqipëri, që i siguron pushtet të pakufizuar dhe prosperitet marramendës. Prej dy vitesh marrëdhëniet e tij me amerikanët kanë qenë në nivelin më të ulët që mund të ketë pasur ndonjëherë një kryeministër shqiptar në raport me të vetmin aleat strategjik që ka pasur kombi ynë në 30 vitet e fundit. Por kryeministri Rama ka bërë një kthesë 180 gradë me SHBA pas ultimatumit të zyrtarit të lartë të DASH, Gabriel Escobar dhe çështjes penale McGonigal që po zien në Uashington. Situata në Veri të Kosovës ka nxjerrë në pah ndryshimin e madh të kreut të qeverisë shqiptare ndaj amerikanëve. Me gojën e tij ai tha dy ditë më parë i ftuar në një studio televizive se kurrë vende si Tirana, apo Prishtina nuk duhet të futen në konflikt me aleatë dhe partnerë si SHBA. Sipas tij Kurti duhet të dëgjojë amerikanët dhe të mos hyjë në asnjë polemikë.  “Serbët duhet të kthehen në institucione. Kosova të bëjë zgjedhje. Madje pa dashur të japë asnjë këshillë që sikur të isha unë në vendin e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, do t’i kisha shpallur zgjedhjet menjëherë pa hyrë në asnjë polemikë, me asnjë nga aleatët tanë. E di që sovraniteti është sovranitet, por di që edhe sovranitet për vende si ne, duke humbur aleatët dhe partnerët tanë, aq më tepër për gjëra që janë kundër nesh, të ardhmes sonë, është realisht një teprim i madh, sipas meje”, tha Rama.

Raportet e ngrira të Ramës me SHBA

Kjo kthesë e kryeministrit vjen pas sulmeve të njëpasnjëshme në publik ndaj SHBA. Prej dy vitesh raportet e tij me amerikanët janë të ngrira, ku nuk kanë munguar akuzat e tij ndaj raporteve kritike të shtetit amerikan, të cilat i ka komentuar si copy paste të raporteve të mëparshme. Nuk kanë munguar sulmet e tij ndaj ambasadores amerikane, ku epiteti i vënë ndaj saj si sekretare partie ishte një kulminacion i nervozimit të tij. Prej kohësh kryeministri shqiptar ka sfiduar partnerët amerikanë, duke filluar me largimin e Gledis Nanos, drejtorit të SHISH, apo dhe rrëzimin e kandidaturës së Ardian Dvoranit si kampioni i antikorrupsionit për shtetin amerikan.

Sulmet e Ramës ndaj Yuri Kim

Më 18 mars të vitit 2022, kryeministri Edi Rama e krahasoi ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, me një personazh nga e kaluara moniste, si  sekretare e partisë, të cilët në memorien kombëtare kanë ngelur njerëzit më të egër të diktaturës së proletariatit. “Na vjen mirë që jemi të gjithë bashkë këtu. Më pëlqeu shumë ajo që tha rektori “ju garantojmë zonja ambasadore”. Më kujtoi kohën kur vinte sekretari i partisë dhe i thotë rektori i vjetër ju garantojmë shoku sekretar që ne do punojmë. Faleminderit shumë. Këto kisha unë. Rroftë miqësia shqiptare-afgane”, u shpreh Rama.

Sulmet e Ramës ndaj DASH dhe Ambasadës Amerikane

Rama sulmoi SHBA edhe më 13 prill të vitit 2022. Rama deklaroi se raporti i DASH është copy-paste i vitit më parë, ku sipas tij nuk figurojnë as arritjet që amerikanët i kanë thënë vetë gjatë vitit që kaloi. Ndërkohë shefi i qeverisë ka sulmuar Yuri Kim edhe më 21 prill vitit 2022. Ai e akuzoi se po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë. “Jeni bërë si ambasada amerikane këtu në Tiranë. Caktoni kush duhet të iki, kush duhet të rrijë, kush ka vjedhur e kush…merrni raportin e DASH sikur e keni nxjerrë ju! Ë! Është qesharake. Flisni sikur keni imunitet diplomatik nga ambasada amerikane. Gënjeni veten që të jeni shumë të qartë”.

Kryeministri akuza ambasadës së SHBA: Po ndërhyni në punët tona

Ndërkohë shefi i qeverisë ka sulmuar ambasadoren Yuri Kim edhe më 21 prill të vitit 2022. Ai e akuzoi se po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë. Teksa përbalte opozitën ai tha se: “Jeni bërë si ambasada amerikane këtu në Tiranë. Caktoni kush duhet të iki, kush duhet të rrijë, kush ka vjedhur e kush…merrni raportin e DASH sikur e keni nxjerrë ju! Ë! Është qesharake. Flisni sikur keni imunitet diplomatik nga ambasada amerikane. Gënjeni veten që të jeni shumë të qartë. Kapuni mbas Flamurit të PD, se atë amerikan ka kush e kap. E kapin amerikanët. E keni bërë si ato çarçafët e shtëpive të qejfit. Mos na e trego ne nga çfarë u distancuam ne dhe nga cila duhet që të distancoheni ju. E dimë shumë mirë çfarë bëjmë. Mos na e qani hallin për marrëdhëniet as më Amerikën, as Europën dhe as më shqiptarët. Për shkakun tuaj janë ekskluzive tonat. Këto lojërat me flamur amerikan, iu bëjnë qesharak”, deklaroi Rama.

Sherri për kreun e ri të SPAK

Sherri mes Ramës dhe ambasadores amerikane Yuri Kim kapi majat me Altin Dumanin, kreun e ri të SPAK. Kreu i qeverisë shqiptare synonte të kapte institucionin e SPAK, duke katapultuar në krye të tij një “besnik” të tyre, por në fund kryeministri e humbi betejën me amerikanët.  Loja e pistë, duket se u nuhat me të drejtë nga Uashingtoni, i cili ka mbështetur reformën në drejtësi dhe institucionet e dala prej saj me miliona dollar fonde, ndërsa u fut në lojë, duke “prerë” duart e zgjatura nga politika, për të kapur Prokurorinë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe shantazhuar anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Pra për Kurtin, Rama tha se nuk duhet të kontestonte vendimet e SHBA, por nga ato që renditëm më lart, kryeministri shqiptar ka “masakruar” çdo qëndrim apo kërkesë të SHBA.

Ultimatumet e Escobar

Por kthesa e Ramës ndaj amerikanëve duke përdorur situatën në Veri filloi pas dy mesazhe shumë të rëndësishme që Escobar dha kur erdhi në Tiranë, të cilat hedhin piketat se çfarë do të ndodhë me politikën shqiptare pas 14 majit. Edi Rama e zbatoi me përpikmëri kërkesën e parë të Escobar pas takimit 20 minutësh, por mesazhi i dytë pritet të zbatohet në vijim ku padyshim fitorja si e Pirros do të detyrojë kryeministrin të kthejë haraçin. Edi Rama sot që flasim e ka kthyer vendin një ngjyrësh, ku pushteti vendor dhe qendror është përqendruar i gjithi në duart e tij, si një model i ngjashëm me Bjellorusinë e Lukashenkos dhe Korenë e Veriut të Kim Jong ut. Ai i mbështetur nga Meta dhe Berisha u investua në shkatërrimin e opozitës, por të gjitha këto zhvillime do të bëjnë që Rama tani të përmbushë me përpikëri mesazhet që Escobar i ka dhënë në tavolinë. Dhe sinjalet e para po vijnë nga Rama.

Si i premtoi SHBA largimin e “non gratave” nga politika

Ndryshimin e tij drastik ndaj SHBA, kryeministri Rama e vazhdoi me plotësimin e kërkesës së amerikanëve për largimin nga politika të non gratave. Ai madje premtoi se synimi i tij në zgjedhjet e 14 majit do të ishte shkatërrimi i aleancës “non grata” si ultimatum i Perëndimit. “Nëse i referohesh faktit që në fokus është Salikja, është se Shqipëria është në një kthesë të madhem, Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë më e respektuar ndërkombëtarisht. Tani kur ata thotë që nuk individ, është i padëshirueshëm për ne, do të thotë që është për të gjithë perëndimin dhe këto individë, që kanë dhe problem të rënda me drejtësinë, tërheqin zvarrë njerëzit duke bërë spektakël me përralla, një 80 vjeç që tregon përralla dhe merr nëpër gojë ambasadoren amerikane, jo u futën, jo dalin, është degradim i madh dhe kërcënim, se kur vjen puna të bashkitë është pengmarrje. Kandidatët e tyre gjëja më absurde që kam parë”, tha kryeministri Rama. Dhe ashtu ndodhi, Berisha e Meta pësuan disfatën më të madhe dhe Rama kërkon të dalë para amerikanëve si politikani që zhduku “fosilet politike” të Shqipërisë që janë të padëshiruara për SHBA.

Dosja McGonigal

Nga ana tjetër, kjo kthesë kaq e fortë e Ramës ndaj amerikanëve, përveç ultimatumeve të Escobar, vjen dhe nga dosja hetimore e agjentit të FBI  në Uashington. Duket qartë që Rama ka një lidhje të fortë me të dhe personat që kanë qenë ndërmjetësit e tij. Kjo e ka alarmuar më shumë  kreun e qeverisë pasi dosja vazhdon të hetohet dhe takimet e shpeshta të një kryeministri me një personazh që nuk ka asnjë lidhje me politikën shqiptare, ekzekutivin apo me çfarëdolloj institucioni që i përket këtij shteti, janë një pikë e errët për vendin tonë, i cili e fut drejtimin e shtetit në hulli spiunësh. Se në çfarë aferash është zhytur Rama me spiunin McGonigal, ky është një hetim i ndërmarrë nga shteti amerikan dhe padyshim që e ardhmja do të ketë shumë surpriza.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu