Pak përpara nisjes për në Samitin e NATO-s në Washington, kryeministri Edi Rama e nis javën me mbledhjen e kryesisë të PS.
Mësohet se mbledhja do të mbahet në selinë e PS ora 08:30.
Dy pritet të jenë çështjet kryesore për diskutim, emri se kush do të jetë kandidati për zgjedhjet e pjesshme të 4 Gushtit në Himarë. Koordinimi në funksion të këtyre zgjedhjeve të cilat pritet të udhëhiqen në terren nga Blendi Klosi, drejtuesi politik i PS për qarkun e Vlora.
Tashmë socialistët kanë disa emra për garën e Himarës, por pritet konsultimi në kryesi i të gjithë emrave potencial për të mbërritur në kandidaturën finale.
Si çështje e dytë kryesia e PS do të diskutojë ecurinë e përgatitjeve për Kongresin e 27 Korrikut nga ku do të zgjidhet asambleja e re kombëtare.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi me 5 Korrik Fredi Belerit mandatin e kryetarit të Bashkisë së Himarës, të cilin nuk e ushtroi asnjë ditë.
I dënuar me 2 vite për korrupsion zgjedhor nga Apeli i GJKKO, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shpalli pavlefshmërinë e mandatit.
‘Jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri dhe e shpallim të pavlefshëm këtë mandat”, tha Celibashi, kreu i KQZ-së.
Beleri u lejua të merrte pjesë vetë në mbledhje, ndërsa u soll i lidhur me pranga me njërin prej oficerëve të policisë që e shoqëroi në KQZ. Brenda 30 ditëve, Beleri ka kohë të ankimojë vendimin në KAS, ndërsa Vangjel Dule paralajmëroi se do të ndjekin çdo procedurë për ta vijuar më tej betejën ligjore.