Avokati Arben Llangozi ka folur lidhur me shkarkimin e mundshëm të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari.
Sipas avokatit, me shumë gjasa Hajdari ka për t’u shkarkuar të martën, pasi ai ka paraqitur një formular të falsifikuar ku ka fshehur se ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Janinës, për kalim të paligjshëm kufiri.
Sipas avokatit falsifikimi i dokumentave është një vepër penale e përsëritur nga kryebashkiaku, ndaj shton se shkarkimi i tij nga ky post do të jetë i shpejtë.
“Në rastin aktual i referohemi rasteve të tjera analoge, si kryebashkiaku i Shkodrës që fitoi por nuk u mandatua, kemi edhe rastin e zotit Roshi, Elvis Roshi kryebashkiaku i Kavajës rezultoi i dënuar në shtetin Italian, më pas është arrestuar është proceduar penalisht në të njëjtat kushte si zoti Hajdari dhe më pas është shkarkuar.
Ne nuk jemi para faktit që kemi kusht ndalues apo jo të kandidimit të zotit Hajdari, por jemi para faktit që zoti Hajdari ka paraqitur një formular të falsifikuar apo të pavlefshëm në kuptim të ligjit për dekriminalizimin, duke kryer kështu edhe veprën penale të falsifikimit të formularit”, tha avokati.